Fitim Doda, foto: Policia e Kosovës, 27.04.2024
Gjykata ia cakton një muaj paraburgim Fitim Dodës, të dyshuarit për vrasje në tentativë në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për Fitim Dodën, të dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar më 25.04.2024 zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Më 24.04.2024, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Fitim Dodës për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, njëherësh ka kërkuar që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.
Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur më 26.03.2024 rreth orës 13:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. Nga gjuajtja, një person mbeti i plagosur.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”- kishte konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti më 26.03.2024
Më 27.03.2024, Policia publikoi emrat dhe fotografitë e dy të dyshuarve, Fitim Doda dhe Arijan Sijarina të cilët po kërkoheshin për veprën vrasje në tentativë.
Me anë të këtij njoftimi, Policia kërkoi ndihmë nga qytetarët në arrestimin e dy të dyshuarve.