Është koha të ndërrojmë temë - si do të reagojmë kur s'do të ketë mjaft për të gjithë 

“Duke ndjekur zhvillimet në botë, të jemi të sigurt se në ditët e ardhshme do të shtohet numri i të prekurve dhe vdekjeve nga COVID-19. Sistemi ynë shëndetësor nuk do t‘mund  t’i përballojë ngarkesat e parapara, prandaj gjëja më e përgjegjshme tani do të ishte të diskutojmë se si do të reagojmë kur të përballemi me situatë edhe më të rëndë dhe dilema etike”.

 

Shpresa Loshaj – FOTO JnK

Epidemia e COVID-19 është kërcënimi më i madh i sigurisë shëndetësore botërore në shumë dekadat e fundit, dhe gjendja në të cilën ndodhemi nuk e ka gjetë askë të përgatitur, sepse natyra e virusit është ende e panjohur. Vendet me institucione të qëndrueshme dhe stabile, që kanë kaluar nëpër situata të tilla më parë, kanë të paktën përvojën dhe praktikat e mëparshme që mund të bazohen në to. Varësisht nga historia e menaxhimit të këtyre situatave dhe nivelit të demokracisë, shumë popuj e kanë krijuar një siguri dhe besim, ku pa marrë parasysh rrezikut, institucionet shtetërore gjithmonë do te veprojnë me integritet në mbrojtjen e tyre. Thjeshtë nuk ndihen të vetëm.

Fatkeqësisht ky besim është i zbehtë tek populli i Kosovës, dhe me të drejtë. Politika e tanishme destabilizuese po i hapë dyer katastrofës shëndetësore. Në vend të debateve për koalicione të mundshme, prioriteti ynë i parë do të duhej të ishte siguria dhe mirëqenia jonë sepse ditët në vijim do të jenë edhe më të vështira.

Duke ndjekur zhvillimet në botë, të jemi të sigurt se në ditët e ardhshme do të shtohet numri i të prekurve dhe vdekjeve nga COVID-19. Sistemi ynë shëndetësor nuk do t‘mund  t’i përballojë ngarkesat e parapara, prandaj gjëja më e përgjegjshme tani do të ishte të diskutojmë se si do të reagojmë kur të përballemi me situatë edhe më të rëndë dhe dilema etike. Edhe në vendet e zhvilluara po bëhen këto konsultime publike nga ana e ekspertëve dhe vendim-marrësve, sepse këto vendime kërkojnë shoshitje dhe evidencë shkencore, që duhet të përshtaten me qëllimet e masave parandaluese. Nuk janë vendime që merren në vakum dhe në moment.

Një ndër çështjet më të rëndësishme që do të ballafaqohemi është në rastet kur numri i pacientëve shtohet dhe është i papërballueshëm për kapacitetin e sistemit aktual shëndetësor. Atëherë, kush do të ketë prioritet në trajtim dhe ndoshta jetë? Do t’i trajtojmë personat më të rrezikuar nga ky virus, grupet më të ndjeshme në shoqëri, apo kush ka gjasa për jetë më të gjatë?!

Po nëse do të kemi vaksinën apo barnat shëruese në muajt e ardhshëm, si do të sigurohen ato, si do të shpërndahen, dhe kush do të ketë qasje së pari?

Tjetër çështje tepër e rëndësishme është se kush do të jetë kujdestar i këtyre ilaçeve? Vaksinat apo mjetet trajtuese në kohë pandemie janë resurse tejet të vlefshme, dhe atyre që iu besohet kujdestaria duhet të veprojnë me integritet dhe llogaridhënie.

Këto vendime janë të vështira për çdo vend, por për ne edhe më shumë, sepse fatkeqësisht nuk kemi përvoja të suksesshme që mund t’i përsërisim. Për më tepër, vendimet e 20 viteve të fundit për përparësi në trajtim mjekësor, dhe shpërndarje e menaxhim të mjeteve medicionale, e kanë krijuar një mosbesim dhe pasiguri të thellë tek populli. Pra, pjesëmarrja dhe diskutimet publike për këto vendime janë tejet të rëndësishme për të krijuar besim dhe solidaritet për vendimet e vështira në këtë kohë krize.

Në kriza si kjo është lehtë që grupet më të prekshme të popullsisë, si të varfërit, minoritetet, të burgosurit, personat me nevoja të veçanta mund të anashkalohen. Prandaj çdo plan përgjegjës duhet të shtjellojë thellë dhe etikisht se çfarë janë rreziqet shtesë për këto grupe dhe si mund të adresohen ato, në mënyrë që të gjithë të kemi nivelin e njëjtë të mbrojtjes dhe trajtimit nga organet shëndetësore tona. Komunikimi nga Ministria e Shëndetësisë është i hapur dhe i vazhdueshëm, por kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të kemi edhe diskutime publike për çështjet e mësipërme, sepse momentalisht jemi në një krizë të dyfishtë, dhe kjo po e shton frikën dhe pasigurinë. Dihet se shumica e popullit i kanë ende të freskëta përjetimet e pranverës së 1998-të. Një qeveri e përgjegjshme duhet ta njohë popullin dhe hallet e tyre, ndërsa krerët politikë duhet të kenë konsideratë për këtë, bile edhe të merren masa shtesë që të minimizohet retraumatizimi nga ana e tyre.

Pandemia COVID-19 po na e teston shëndetin dhe institucionet tona, por gjithashtu edhe karakterin tonë si individ dhe shoqëri. Uroj të ia dalim shëndoshë dhe së bashku!

 

(Autorja është këshilltare në Qeverinë kanadeze dhe anëtare e Rrjetit të Diasporës me organizatën “Germin”)