Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sfidat e raportimit gazetaresk vs respektimi i privatësisë

 

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka ndryshuar qasjen dhe mënyrën e të bërit lajm në gazetari. Rrjetet sociale pothuajse kanë zëvendësuar mediat tradicionale, dhe po depërtojnë me sukses në të gjitha grup moshat. Ndërsa nuk jemi të sigurt për ndikimin që ka pasur ky zhvillim në cilësinë e lajmit, ne e dimë që teknologjia e informacionit ka transformuar rrënjësisht mënyrën e përhapjes së lajmit dhe mënyrën se si ne ndërveprojmë me të.

Një fushë e veçantë për shqetësim është privatësia dhe mënyra se si përplasen integrimi i teknologjisë së informacionit me lajmet dhe kërkesat etike të gazetarisë profesionale. Andaj edhe rreziku nga dezinformatat dhe keqpërdorimi i privatësisë së individit në shumë raste është bërë i pashmangshëm si rrjedhojë e ndikimit të teknologjisë së informacionit.

Por si qëndron Kosova në aspektin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Fillimisht, ta sqarojmë kornizën ligjore. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës theksohet në mënyrë të qartë se çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera (shih nenin 36, paragrafi i parë). Tutje, Kushtetuta nuk krijon ndonjë mëdyshje në paragrafin e katërt në nenin 36 për sa i përket të drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre është rregulluar me ligj. Kuvendi i Republikës së Kosovës në fillim të vitit 2019 ka nxjerr Ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me të cilin rregullohen të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit, si dhe përcaktohen përgjegjësitë e institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave dhe qasjes në dokumente publike. Me fjalë të tjera, korniza ligjore është e përgatitur mirë dhe në favor të mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.

Sa i përket kornizës institucionale, Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucioni kryesor përgjegjës për çështje të privatësisë, e cila për një kohë nuk ishte funksionale si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme të Kuvendit të Kosovës të zgjedh titullarin e saj, përkatësisht Komisionerin. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për Qasje në Dokumente Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale, me qëllim që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të personave fizik në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, si dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

Në lidhje me median, para së gjithash është e rëndësishme të sqarohet se media ka të njëjtën përgjegjësi si çdo institucion tjetër, për t’iu përmbajtur kornizës normative dhe ligjeve që lidhen me çështjen e privatësisë. Gazetarët, gjithashtu kanë një përgjegjësi të shtuar, duke marrë parasysh natyrën e tyre të punës, të jenë më të informuar dhe më të vëmendshëm për çështjet e privatësisë. Kodi i Mediave të Shkruara në Republikën e Kosovës obligon gazetarët të zbatojnë të drejtat e privatësisë, duke theksuar se gazetat, portalet dhe agjensitë e lajmeve duhet t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi.  Por sa po respektohet kjo në praktikë?

Përkundër kufizimeve ligjore, cënimin i privatësisë nga mediat dhe gazetarët nuk është zgjidhur ende dhe është një problem i rëndësishëm që duhet të trajtohet. Natyra e punës së gazetarëve është e tillë që shpeshherë sfidon ata në aspektin e obligimeve ligjore, etike e profesionale dhe arrin deri në situata ku cenohet e drejta e privatësisë, apo e të dhënave personale të individëve. Kjo vërehet veçanërisht në epokën e re të informacionit, respektivisht me zhvillimin e teknologjisë informative, ku mbrojtja e të dhënave personale të individëve është vështirësuar mjaft dhe paraqet problematikë në vete.

Cenimi i të drejtës së privatësisë është theksuar në veçanti kohët e fundit, me përhapjen e pandemisë COVID-19. Kësisoj, përveç dëmeve të tjera të shkaktuara, pandemia COVID-19 krijoj edhe nevojën e gazetarëve për raportime ditore, e në këtë mënyrë rriti edhe rrezikimin e të dhënave personale të personave që kanë qenë subjekt i këtyre raportimeve. Shpërndarja e lajmeve të rreme dhe informacioneve jo të sakta nga gazetarët për COVID-19, ende pa u identifikuar rastet e para të infektimeve në vend, janë parë si shqetësim nga qytetarët dhe nga raportimet e tjera nga shoqëria civile.

Një shembull tjetër i shkeljeve të së drejtës së privatësisë janë edhe rastet e raportimit në media për aksidentet në komunikacion. Zakonisht vërehet një tendencë për gazetari sensacionale në raste të aksidenteve në trafik, shpesh duke shkelur në mënyrë të hapur obligimet etike gazetareske si dhe obligimet ligjore për respektim të privatësisë. Mendohet se motivi kryesor për një raportim ka të bëjë me përpjekjen për të gjeneruar më shumë klikime në portalet përkatëse, pra të tërheqin më shumë lexues për të shtuar shitjet dhe të ardhurat nga reklamat.

Shoqëria civile në Kosovë është shumë e shqetësuar për këto çështje, që kanë të bëjnë me respektimin e privatësisë së qytetarëve nga mediat, si dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme. Një numër i organizatave joqeveritare në Kosovë ishin të përfshira dhe të përkushtuara në procesin e përzgjedhjes së Komisionerit për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, kjo në mënyrë që të sigurohet se ka integritet procesi dhe që ky institucion të luajë një rol pozitiv në shoqërinë tonë për të mbrojtur të drejtat e privatësisë së të gjithë qytetarëve, si dhe parandalojë dezinformimin dhe lajmet e rreme.

Si shoqëri civile kemi monitoruar katër herë radhazi procesin e rekrutimit të Komisionerit për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar me ngulm që në titullari i kësaj agjencie të jetë një person me integritet në këtë pozitë.  Andaj, me ardhjen e Komisioneres, kjo Agjenci duhet të funksionalizohet shpejtë, e po ashtu edhe të reformohet në mënyrë që të jetë në hap me kohën, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, dhe gjithashtu të ndihmojë edhe gazetarët në punën e tyre të përditshme me qëndrime apo opinione në lidhje me privatësinë. Sepse kjo agjenci nuk ka publikuar asnjë raport, rekomandim, këshillë apo opinion për institucionet publike apo private në lidhje me çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale në këtë periudhë kaq të ndjeshme me Covid-19.

Shoqëria civile në Kosovë është e hapur për të bashkëpunuar me Komisioneren e Agjencisë dhe për ta mbështetur atë në zbatimin e kornizës normative që i përket të drejtës së privatësisë në Kosovë, e gjithashtu të kontribuoj në hartimin e legjislacionit sekondar siç edhe parashihet me ligj. Agjencia për Informim dhe Privatësi ka një rol tejet të rëndësishëm. Shoqërisë civile do të vazhdojë punën e tyre për të monitoruar Agjencinë dhe do të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet nëse institucioni nuk funksionon në mënyrë efektive dhe në përputhje me normat ligjore.