Korporata hoteliere Hyatt interesohet për Hotelin Grand në kryeqytet
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur të enjten më 25.04.2024, se zëvendëspresidenti për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere Hyatt, Takuya Aoyama i ka shprehur interesimin për hapjen e një hoteli në qendër të kryeqytetit, e që një prej opsioneve është transformimi i Hotelit Grand.
I pari i Prishinës ka theksuar se kjo do bëhet duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti që konsiderohet si ikonë e kryeqytetit.
“Shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në Kryeqytet”- ka shtuar tutje Rama në njoftim.
Hoteli Grand për herë të parë hapi dyert në prill të vitit 1978. Atë kohë konsiderohej si një nga ndërtesat ikonë të kryeqytetit, derisa sot thuajse e gjithë fasada e jashtme e tij është e mbuluar nga reklama të bizneseve e produkteve të ndryshme.
Gjithë këto ndërhyrje pa kritere i kanë humbur vlerën arkitektonike dhe historike që mban më vete ky objekt.
“Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.
Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel.
Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin në pronësi.
Hapësirat e hotelit tash e disa vite shfrytëzohen për aktivitete e ekspozita të ndryshme, përfshirë Bienalen Manifesta në vitin 2022 që u organizua në disa prej hapësirave të këtij hoteli.