Bibliotekat, lexuesit dhe pandemia

Që prej marsit të 2020-tës, bibliotekat komunale të Kosovës si dhe Biblioteka Kombëtare janë mbyllur e rihapur sipas vendimeve të Qeverive në raport me situatën epidemiologjike. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhënien e brishtë të qytetarëve me shprehinë e leximit.

Deri para marsit të 2020-tës, në bibliotekat komunale në Prishtinë, Gjilan dhe Pejë numri i personave të regjistruar si lexues është rritur në vazhdimësi, vetëm për t’u zvogëluar përsëri në fillim të pandemisë.

Në pikat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet dhe fshatrat përreth, numri i lexuesve të regjistruar që kishte arritur në rreth 8,000 në fillim të 2020-tës është përgjysmuar. Kjo bibliotekë në të gjitha 9 degët sa i ka gjithsej, i akomodon 450 lexues brenda hapësirave, e në akordim me situatën epidemiologjike, në disa periudha, lexuesit kanë pasur mundësi vetëm t’i huazojnë librat, në disa të tjera t’i përdorin kapacitetet në numër të reduktuar.

Në situatën e tanishme, bibliotekat filluan punën me 30 për qind të kapaciteteve deri më 26 shtator kur edhe pritet të merren vendime të reja nga qeveria në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor dhe funksionimin e institucioneve kulturore, përfshirë këtu edhe bibliotekat.

Ndërkohë, në bibliotekën komunale në Pejë “Azem Shkreli” situata gjatë mbylljeve brenda vitit 2020 gjithashtu ka qenë e ndryshueshme. Përveç në periudhën kur lëvizja ka qenë krejtësisht e ndaluar dhe e rregulluar me numër të letërnjoftimit, aty lexuesit kanë vazhduar t’i përdorin 3 sallat e leximit brenda bibliotekës, mirëpo me kapacitete të kufizuara dhe me respektimin e një sërë masave.

Frekuentimi i bibliotekës në Pejë, vazhdon ta mbajë një konsistencë që është krijuar dy vitet e fundit, mirëpo interesimi i lexuesve që të huazojnë libra ka rënë. Sipas zyrtarëve të bibliotekës kjo ka ndodhur për shkak se me reduktimin e orëve mësimore në shkolla në vitin 2020, pjesës së leximit të lektyrave i është dhënë më pak hapësirë, ndaj edhe nxënësit e regjistruar si lexues nuk i kanë huazuar librat fare. Një arsye tjetër del të jetë frika e shpërndarjes së virusit COVID-19 përmes qarkullimit të librave dorë më dorë.

Gjatë periudhave kur bibliotekat janë mbyllur krejtësisht, mungesa e hapësirave ku ata mund të studiojnë veçanërisht është theksuar për studentët universitarë, të cilët janë ata që e përbëjnë shumicën e të regjistruarve nëpër biblioteka. Këto hapësira janë edhe më të nevojshme për studentët gjatë afateve të provimeve.

Në bibliotekën e qytetit në Gjilan, “Fan S. Noli”, dhomat e leximit, sipas zyrtarëve, më së shumti përdoren gjatë muajve kur hapen afatet e provimeve nëpër universitete, dhe më së paku ka lëvizje gjatë muajve të verës korrik dhe gusht.

Natyrë Behluli, e regjistruar si lexuese në bibliotekën e Gjilanit, qe 7 vjet tashmë, tregon se për të studiuar dhe për të bërë përsëritje për provime, ajo i përdor hapësirat e bibliotekës, mirëpo më së shumti me materialet dhe literaturën e vet. Sidoqoftë, jashtë hapësirave të bibliotekës, ajo huazon romane të ndryshëm të cilët preferon t’i lexojë si kopje fizike në vend të formatit elektronik.

Edhe zyrtarët e bibliotekës në Gjilan, Prishtinë e Pejë pohojnë që lexuesit më shpesh huazojnë libra letrarë të cilët u jepen nxënësve si lektyra shkollore, libra universitarë dhe ndonjëherë romane e libra poezish; ndërsa shumë pak libra huazohen për arsye hulumtimi apo për hobi.

E kundërta dukuri ndodh në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK). Meqë kjo bibliotekë ka arkivin më të pasur me rreth dy milionë ekzemplarë dokumentesh, dorëshkrimesh, revistash, gazetash, enciklopedish dhe rreth 800,000 tituj librash të të gjitha zhanreve, si dhe materiale të tjera hulumtuese, anëtarët e regjistruar më së shumti huazojnë materiale për arsye të ndryshme kërkimore dhe përgatitje të punimeve të diplomave të nivelit baçelor ose master.

Si rrjedhojë e zhvillimeve pas marsit të 2020-tës, BKK-ja për momentin ka mbetur vetëm me 145 përdorues të regjistruar, që është numër tejet i vogël në krahasim me kapacitetet që ofron biblioteka dhe me frekuentimin e madh që e ka pasur gjithmonë. Në kohët si kjo e tashmja, kur me vendim të qeverisë janë kufizuar aktivitetet e bibliotekave dhe institucioneve të tjera kulturore, lexuesit mbesin të hendikepuar duke mos pasur mundësi as të huazojnë materiale për t’i përdorur jashtë hapësirave të bibliotekës.

Edona Rexhepi, studente e historisë në nivelin master në Vjenë, e cila ka qenë përdoruese e rregullt e hapësirave dhe materialeve të BKK-së që prej vitit 2016, gjithmonë e ka parë si mangësi mungesën e sistemit të huazimit të librave jashtë hapësirave të bibliotekës. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e numrit të lexuesve në BKK, duke i detyruar ata të gjejnë mënyra alternative për sigurimin e materialeve studimore dhe në disa raste t’i pezullojnë punimet kërkimore.

Në Kosovë piraterimi i librave elektronikë, pa marrë parasysh të drejtat e autorësisë, është shumë lehtë i realizueshëm, ndaj edhe studentët e shumë fushave e kanë mundësinë që literaturën studimore ta gjejnë në gjuhën angleze nëpër faqe të ndryshme të internetit dhe ta shkarkojnë pa asnjë pengesë.

Në lidhje me dallimet dhe preferencat mes librave fizikë dhe elektronikë, studentët çdo ditë e më shumë kanë mëdyshje për përshtatshmërinë dhe anën praktike të të dy formave të librave. Në shumë raste lexuesit, përfshirë këtu Behlulin nga biblioteka e Gjilanit, preferojnë formën fizike të librave meqë janë më të përshtatshëm për t’i mbajtur me vete, duke marrë në konsideratë që pajisjet elektronike si lap topët dhe kompjuterët nuk janë gjithmonë të përshtatshëm në këtë aspekt. Në raste të tjera, lexuesit si Rexhepi, preferojnë t’i lexojnë në mënyrë elektronike, qoftë edhe në pajisje të vogla si telefoni për të njëjtën arsye të përshtatshmërisë.

Sipas Rexhepit, një prej përparësive që librat elektronikë e kanë më shumë në krahasim me librat fizikë është që ata janë në çdo kohë të qasshëm në bibliotekën elektronike të një pajisjeje të vogël. Për më tepër, të gjithë lexuesit e librave pajtohen që formati elektronik i tyre është shumë më i përballueshëm financiarisht.

Në Prishtinë, biblioteka e vetme që u ofron lexuesve qasje në biblioteka elektronike duke ua huazuar atyre edhe pajisjet qoftë brenda hapësirave të saj qoftë jashtë, është Këndi Amerikan që gjendet brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtarët e Këndit Amerikan kanë bërë të ditur që hapësirat e Këndit janë të hapura për të gjithë të interesuarit, dhe që përdoruesit e materialeve e pajisjeve nuk janë të regjistruar.

Për shkak të lloj-llojshmërisë së materialeve në gjuhën angleze, lexuesit që i përdorin materialet e Këndit janë kryesisht studentë të fushave të ndryshme që janë të interesuar të bëjnë kërkime dhe punime në gjuhën angleze, si dhe ta studiojnë atë. Shumë shpesh, materialet që ata e kanë të vështirë t’i gjejnë në bibliotekat e tjera apo edhe në treg, lexuesit mund t’i gjejnë në Këndin Amerikan. Gjithashtu, zgjedhje më të larmishme të titujve ka në bibliotekën elektronike të Këndit, prej të cilës lexuesit mund të kërkojnë materiale dhe t’i huazojnë ato përmes pajisjeve elektronike për lexim “Kindle”.

Zyrtarët e Këndit, njësoj si ata të bibliotekave të tjera, theksojnë se pandemia e ka ndikuar dukshëm qarkullimin e vizitorëve dhe materialeve, e rrjedhimisht veprimtarinë e Këndit.

Tashmë të gjitha bibliotekat së bashku me lexuesit kanë filluar të mësohen me mënyrën e re të funksionimit e cila vazhdon të ndryshojë bashkë me situatën epidemiologjike, e rezultati i këtyre ndryshimeve do të reflektohet në shprehinë e leximit të kosovarëve jo vetëm përmes sistemit të edukimit por edhe jetës së përditshme në një të ardhme të afërt.