Majori Shpjegon Ligjin e ri të Trafikut

Majori Jeton Rexhepi shpjegoi në “Drejtësia në Kosovë” të gjitha të rejat e ligjit për rregullat e trafikut që hyri në fuqi më 20 shtator.

Rexhepi tregoi edhe ndryshmet që ka pësuar ky ligj si dhe përparësitë dhe përgjegjësitë e reja që do i kenë kundërvajtësit në trafik.

Siç transmetoi emisioni, me ligjin e ri parashihet “Zona e Shkollës” për mbrojtjen e nxënësve.

Majori Jeton Rexhepi foli edhe për shqiptimin e pikëve negative të cilat sipas tij parashihen: për tejkalim të shpejtësisë, tejkalim të parregullt, hyrje në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, mosrespektimin e shenjës apo urdhrit të personit të autorizuar, ngasjen nën ndikim të alkoolit, etj.

Sipas Rexhepit, patentë-shoferi i pezullohet një personi nëse ai grumbullon nëntë pikë negative. Nëse i njëjti vozitës pas pezullimit grumbullon edhe nëntë pikë tjera negative, atij i anulohet patentë-shoferi, ndërsa për ta marrë këtë leje të vozitjes mund të hyjë si kandidat fillestar pas dy vjetësh.

Me ligjin e ri, këmbësori gjatë kohës së pashmërisë së zvogëluar jashtë zonave të banuara, duhet ta mbajë ndonjë mjet ose pajisje reflektuese apo burim drite, si: jelek reflektues, rroba reflektuese, bateri e të ngjashme.

Rexhepi ka treguar se tash e tutje gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave, ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë, apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë.

Majori Rexhepi në emision po ashtu tregoi se përdorimi i rripit të sigurisë bëhet sipas udhëzimeve të prodhuesit, ndërsa nëse në automjet nuk gjendet ulësja e veçantë, fëmija duhet të jetë nën përkujdese të personit të moshës madhore.

Nëse i dënuari i paguan gjobat tetë ditë nga koha kur shkaktoi kundërvajtjen, ai paguan vetëm gjysmën e dënimit.

Drejtësia në Kosovë para disa javëve ka transmetuar një hulumtim rreth kontrollimit teknik të automjeteve me pajisje të pakalibruara.

Intervistën e plotë me Major Jeton Rexhepin mund ta ndiqni ne linkun e mëposhtëm.

Dështimi i Shtetit në Kontrollin e Automjeteve