Debat Pernime, Hani i Elezit. Foto: Kallxo.com

Si do ta Trajtojnë Ekstremizmin Fetar Kandidatët e Hanit të Elezit?

Me 8 nga 80 të dënuarit e Kosovës për pjesëmarrje në luftën në Siri e Irak përkrah organizatave terroriste, komuna e vogël e Hanit të Elezit është një ndër më të prekurat nga ndikimi i ekstremizmit fetar.

Kandidatët për kryetar të kësaj komune, në Debat Përnime treguan se çka do të ndërmarrin lidhur me deradikalizmin e të rinjve.

Kandidati për kryetar të Hanit të Elezit nga PDK, Florim Shkreta, tha se për personat të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ISIS duhet të ketë trajtim të veçantë.

“Personat që kanë tentuar të jetë pjesë e ISIS duhet të kenë trajtim të veçantë, të merren me kurse, t’u jepet punë”, tha Shkreta.

Kandidatja nga radhët e LDK-së, Hyrijete Isufi tha se papunësia ka bërë që banorët e Hanit të Elezit të jenë pjesë e luftërave të ISIS-it.

“Ata persona që janë atje, thjesht kanë mbetur pa punë dhe kjo i ka shty me shku atje. Nëse u ofrojmë një jetë mesatare, ata me pas ku me punu besoj që ishin kthy. Ndonjë fond nuk kam mendu sepse  e thash që krejt kam m’i blloku për të siguruar ujë (për Hanin e Elezit)”, tha Isufi.

Kandidati i Pavarur, Rufki Suma tha se jo të gjithë personat që kanë qenë në Siri janë përfshirë në krime.

“Sa i përket ekstremizmit, të gjithë e dimë dhuna që po ushtrohet ne vende islame. Dhe mediumet kanë qenë që kanë infiltruar duke parë nëpër mediume dhunën që është bërë. Shteti i Kosovës përmes institucioneve duhet të i trajtoj të gjithë personat që kanë ranë ndesh kanë bërë krime duhet të merren masa dhe sanksione. Por jo të gjithë personat që kanë marrë pjesë në Siri kanë bërë krime”, tha Suma.