Mbledhja e Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit, Foto: KALLXO.com
Kuvendi Komunal i Hanit të Elezit diskuton raportin e ekipit të Auditimit Social (VIDEO)
Kuvendi Komunal i Hanit të Elezit ka diskutuar sot raportin e ekipit të Auditimit Social, i cili është formuar për të monitoruar projektin e parkut “Isa Berisha” në këtë komunë.
Një grup prej 22 qytetarëve, të profesioneve e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Hani të Elezit dhe për disa muaj kanë monitoruar realizmin e projektit “Rregullimi i parkut në rrugën ‘Isa Berisha'” (asfaltim, trotuar, ndriçim publik, gjelbërim)
Në lidhje me gjetjet e raportit 42-faqësh, fillimisht fjalën i pari e mori kryetari i Komunës së Hani të Elezit, Mehmet Ballazhi. I pari i Hanit të Elezit tha që ky raport është i pari që po ndodh në historinë e komunës dhe vlerësoi procesin e punës me përfaqësuesit e BIRN dhe falënderoi ekipin e Auditimit Social për punën e tyre.
“Raporti është hera e parë që po ndodhë në këtë formë e Auditimit Social në komunën tonë” – tha kryetari Ballazhi në fjalën e tij.
Ne jemi zotu që këto rekomandime me i realizu në ato mundësi që janë të mundshme që janë kërkesa të qytetarëve, sepse kemi kërkesa të ndryshme që nuk mund të realizohen nga mundësitë buxhetore, p.sh trajtimi i bunkerëve jo që ne si komunë nuk i kemi paraparë me bë diçka por nuk kemi pasur donator, na nuk i kemi mundësitë për me zhvillu procedurat me i rregullu, ne i kemi konstruktu sa kemi pasur mundësi në pjesën e jashtme dhe ne në ardhmen e kemi plan me i funksionalizu ata bunkerë’’ – shtoi Ballazhi.
Asamblisti i LVV-së, Sherif Berisha, tha se gjetjet e këtij raporti mjaftojnë që ekzekutivi të përmirësohet dhe falënderoi ekipin e BIRN bashkë me ekipin e Auditimit Social për punën në këtë raport.
“Fillimisht dua të falënderoj përfaqësuesit e BIRN bashkë me Visar Hasallarin si lider i grupit të Auditimit Social sepse neve na ka lehtësu punën sepse të gjitha gjetjet në këtë raport janë reale dhe faktike dhe kërkoj nga ekzekutivi që këto rekomandime të grupit t’i zbatojë” – tha Sherif Berisha.
Me kërkesën e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Florim Shkreta, fjalën e mori edhe Visar Hasallari, si lider i ekipit të Auditimit Social, i cili tregoi për procesin e punës në raporti.
“Fillimisht jemi takuar me përfaqësuesit e BIRN të cilët na kanë treguar se çfarë është procesi i Auditimit Social dhe si do të realizohet, pastaj kemi filluar në gjetjen e vullnetarëve që do të jenë pjesë e grupit. Pastaj kemi pasur trajnim dyditorë në Han të Elezit nga përfaqësuesit e BIRN, të cilët na kanë trajnuar për këtë proces. Grupi jonë i ka pasur 22 anëtarë dhe të gjithë kanë qenë të profileve të ndryshme ku kanë dhënë kontribut në mënyrë vullnetare, e veçantë është se pjesë e grupit kanë qenë edhe prindërit e të ndjerit ‘Isa Berisha’, nëna dhe babai, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm” – deklaroi Hasallari.
Ai më tutje tha që shpreson që Komuna e Hanit të Elezit t’i zbatojë rekomandimet e publikuara në raport.
Ndërsa nga PDK mori fjalën shefi i asamblistëve, Resul Suma, i cili kërkoi sqarime rreth çështjes së prokurimit, rreth kompanisë përfituese në projektin e parkut.
“Është e çuditshme se si kjo kompani ka qenë përfituese kur ka pasur kompani të tjera më të lira në këtë tender, tri oferta të tjera kanë qenë më të lira se kompania përfituese e tenderit” – tha Resul Suma.
Këto sqarime i dha Nexhmedin Daci, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
“Ne nuk kemi pasur aspak ndikim në këto procedura sepse është zyra e prokurimit që merret me ato punë” – tha drejtori Daci.
Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.
Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.
BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.