Vendimi i Supremes për Dragashin, KQZ thërret mbledhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë mbledhje sot pasdite me qellim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës që të ketë rivotim nga jashtë vendit për zgjedhjet në komunën e Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për KALLXO.com se mbledhja do të mbahet nga ora 16:00.

“E konfirmoj se gjatë ditës kemi pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, përmes së cilit urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përsëritjen e rundit të dytë të votimit jashtë Kosovës që i takon Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi, gjatë ditës së sotme (e enjte, 25 nëntor, ora 16:00) KQZ-ja do të mbajë mbledhje. Lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, do të njoftoheni në këtë mbledhje”, ka thënë Elezi.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Dragashit”, thuhet mes tjerash në aktgjykim.

Supremja e ka refuzuar një pjesë të ankesës së kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini që votat me postë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar në Dragash.

Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.

Përderisa me votat e numëruara, rezultatet preliminare e nxirrnin të parin kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, me votat fillestare të diasporës printe kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe kishte anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

Kurse, LDK ishte ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP, lidhur me refuzimin e votave nga diaspora.

Bexhet Xheladini nga LDK-ja kishte marrë 244 vota nga diaspora, kurse ai i PDK-së, Shaban Shabani, nga diaspora i kishte siguruar 54 vota.

Partia Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme e cila sot ka vendosur që të ketë rivotim me postë për kryetar të Komunës së Dragashit.

PDK-ja ka theksuar se Supremja sipas tyre ka konfirmuar se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit, ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar.