Vendimi i Supremes: Përsëritje e votimit me postë për kryetar të Dragashit
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet mes tjerash në aktgjykim.
Supremja e ka refuzuar një pjesë të ankesës së kandidiatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini që votat me postë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar në Dragash.
Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.
Përderisa me votat e numëruara, rezultatet preliminare e nxirrnin të parin kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, me votat fillestare të diasporës printe kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe kishte anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.
Kurse, LDK ishteankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP, lidhur me refuzimin e votave nga diaspora.
Bexhet Xheladini nga LDK-ja kishte marrë 244 vota nga diaspora, kurse ai i PDK-së, Shaban Shabani, nga diaspora i kishte siguruar 54 vota.