Qëndron Kastrati për “festën” te shkollat në Kamenicë: Problemi nuk qëndron te qytetari

Kryetari në largim i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka deklaruar se problemi e as mangësitë te “hapja” e sotme e shkollave nuk qëndrojnë te qytetari por te pushteti.

Reagimi i tij vjen pasi sot është raportuar se në oborrin e shkollës, banorët e fshatit Shipashnicë e Epërme, kanë filluar festën me tupanë për fitoren e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, i cili sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

Rahimaj ka premtuar se do të ndalë riorganizimin e shkollave të filluar nga Qëndron Kastrati, proces i cili ishte kundërshtuar nga disa banorë të cilët në shenjë proteste nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollat e përcaktuara nga Komuna.

Ndërkaq Kastratti në Facebook ka kritikuar pushtetin për gjendjen në Kamenicë.

“Një pushtet që përmes lidhjeve të shkurtëra dhe në mënyrë populliste përdor çdo ndjeshmëri për ta dëmtuar një përpjekje që do të vërtetohet si e drejtë dhe e vërtetë, nuk është pushtet për njerëzit. Këta në Kamenicë nuk janë përjashtim. Pushteti e përdori popullizmin,  shantazhin e premtimet, duke manipuluar me gjendjen e shoqërisë”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas Kastratit, gjuha e përdorur në rrjete sociale, apo festa e banorëve nuk duhet paraqitur as nga mediat e as nga mbështetësit me terma përçmues si primitivizëm apo prapakthim. “Prapakthimin e gjejmë tek pushteti i ri, assesi tek banorët”, ka shkruar ai.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, zgjedhjet në Kamenicë i ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, duke marrë 53,11 për qind, kurse kandidati Qëndron Kastrati nga PSD-ja ka  siguruar 46,80 për qind.

Kastrati mbrëmjen e së dielës e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ia ka uruar fitoren kundërkandidatit të tij nga LVV.

Ai kishte thënë se reforma në arsim ka ndikuar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve.