A frikësohen imamët nga diskutimi për babadimrin?

Më 31 dhjetor 2023 gjatë një ligjërate në xhaminë në Mati 1 fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri.

Përmes një postimi në faqen e xhamisë në rrjetin social Facebook, u bë e ditur se, në prag të festës së Vitit të Ri, fëmijëve, kryesisht të mitur, u ishte prezantuar një leksion kundër festimit të Vitit të Ri.

“Ata sollën punimet e tyre në klasë dhe shpjeguan në mënyrë të hollësishme se si do të tentonin tek prindërit e tyre të i bindin të mos festojnë një festë pagane. Sollën: ajete, hadithe, ndërsa bredhit, babadimrit dhe shumë simboleve tjera u’a bënë me ❌. Përveç kësaj, kam përgatitur një ligjëratë në PowerPoint ku kam ligjëruar rreth temës “Jo festimit të vitit te ri” – shkruan në postimin e kësaj xhamie.

Përderisa Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është distancuar nga ky aktivitet.

Kjo temë u diskutua edhe në emisionin “Kallxo Përnime”, të premten e 12 janarit.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com ka thënë se këtë se po tentohet që mesazhi të jetë vetëm një drejtimësh.

Ai ka shtuar se arsyeja që ai mendon që njerëzit i ikin debatit të tillë është pikërisht mendimi kritik, pra kur ka pro dhe kundër.

“Këtë e shohim edhe prej detyrës që nxënësit në xhaminë në Mati 1 në Prishtinë e kanë pasur. Ata nuk kanë pasur pse duhet edhe pse s’duhet të festohet Viti i Ri, por ata kishin detyrë me argumentu pse s’duhet të festohet kjo festë”- thotë Gashi.

Tutje ai ka thënë se mësuesja që e kishte dhënë këtë detyrë, nuk u ka dhënë literaturë tjetër fëmijëve, pos asaj se si nuk duhet të festohet kjo festë.

“Me atë literaturë u ka thënë t`i bindin të tjerët se pse nuk duhet të festohet Viti i Ri. Nuk ju ka dhënë asnjë mendim tjetër, çoftë të dijetareve islamë apo hoxhallarëve, çoftë klerit islam pse duhet apo ndonjë gjë tjetër, por vetëm ka dashur t`i dërgojë fëmijët në një drejtim. Pra në drejtimin radikal që diçka është vetëm zi nuk bëhet bardh”- ka thënë tutje Gashi.

“Duke qenë pra debati i tillë njerëzit nuk dëshirojnë të ulen dhe të diskutojnë pro dhe kundra, me i pa pra hoxhallarët që janë pro dhe cilët janë kundër, ata që janë në mes dhe ata të cilët dëshirojnë të thonë hapur që kjo festë nuk duhet festuar edhe me mbërri në një konsensus që mund të diskutojmë rreth kësaj teme por s’kena nevojë me prodhu dhunë”- ka thënë tutje Gashi nga Kallxo.com.

Gashi gjithashtu ka thënë se detyra për nxënësit ka qenë shumë e kjartë dhe përfundimin e ka të përcaktuar në fillim.

“Elementi tjetër është gjuha fyese që përdoret për njerëzit që dalin pro dhe kundër kësaj teme, ofendimet që përdoren në internet, mendoj që e shmangin një debat konstruktiv për një temë të tillë”- ka shtuar ai.

A e festojnë myslimanet Vitin e Ri – Imami nga Hani i Elezit shpjegon qëndrimet

Musa Vila, kryeimam i BIK-ut në Han të Elezit ka shpërfaqur qëndrimet e BIK-ut për festimin e viti të ri.

Vila në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se secili imam e ka përgjegjësinë e vet se çka ligjëron dhe çfarë teme duhet të zgjedhë.

“Politika e BIK-ut është me zgjedhë një rrugë e cila është objektive as kah ekstremizmi mos me anu as nga ana liberale tepër mos me anu, pra të jemi në një rrugë mesatare e cila e mban atë ekuilibrin në popull por edhe e ruan autoritetin dhe dinjitetin e vet. Nuk është puna të merremi se a ta festojmë apo mos ta festojmë Vitin e Ri, le të mbetet çështje familjare, e individëve të caktuar, kush do e feston kush s’do mos ta feston”- ka thënë Vila.

A mbahen ligjërata në xhaminë ku ligjëron Vila kundër Vitit të Ri?

“Jo , ne kur kemi këso raste është shumë e vërtetë që reagojmë si kjo që ndodhi në xhaminë e Mati 1, por ne kurrë nuk reagojmë për njerëzit që i kanë koontribu paqes, kemi xhamia që kanë nxjerrur gjenerata që nuk kanë pasur probleme, e kurrë askush s’ka thënë qe një mirënjohje për këtë që p.sh. dikush ka qenë mësues i mirë. Tash reagon opinioni”- tha Vila.

Ai ka thënë se nëse ajo ligjeratë e mësueses në xhaminë e Matit 1, i ka shqetësuar prindërit, atëherë këta të fundit duhet të reagojnë.

“Nëse ata ndihen keq le të reagojnë, nëse ata nuk ndihen keq atëherë këta i takojnë atij grupi që nuk dojnë ta festojnë Vitin e Ri. BIK-u kurrë nuk ka nxitur që të mos flitet për këtë festë, këtë rast e shoh më shumë sporadik, e njoh atë mësuese dhe mund të ketë qenë një lëshim sepse kush punon edhe gabon”- tha Vila.

Ndërsa nga Kallxo.com, Kreshnik Gashi ka thënë se problemi qëndron që postimi i xhamisë së Matit 1 në faqen në Facebook ende nuk është fshirë.

Problem tjetër sipas Gashit qëndron edhe fakti që BIK-u nuk ka bërë asnjë postim në rrjete sociale që është distancuar nga ky veprim i mësueses në xhamninë e Matit 1.

“Deklaratat janë shumica në telefona, gazetarët që i kanë thirrur janë interesu edhe kanë insistu, problemi qëndron brenda institucionit të BIK-ut, që është dashur qartë me thanë mesazhin”- tha Gashi.

Hani i Elezit vendosi bredh pas 20 vjetësh, pse u dogj? 

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka elaburuar pengesat për vendosjen e bredhit në këtë komunë pas 20 vjetësh.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se dekorimi i qytetit për herë të parë ka ndodhur në vitin 2021, kur edhe ka marr detyrën si kryetar komune.

“Unë e kam dekoruar qytetin për t`u bërë baraz me komunat e tjera të civilizuara, dikuj tjetër ka mundur t`i duket gjë jo e mirë, ndoshta kështu me thanë ‘gjynah’”- ka thënë Ballazhi.

Ai ka shtuar se bredhi nuk lidhet me fenë.

“Mendoj që secili duhet t`i jap liri secilit, të festoj e të mos festoj, të besoj e të mos besoj, ta respektoj mendimin e tjetrit. Unë kam reaguar për djegien e bredhit në Han të Elezit edhe përmes faqes time që e kam në Facebook si kryetar komune”- tha ai.

Tutje ka shtuar se njëri nga personat që mori pjesë në djegien e bredhit ka pasaportë suedeze dhe ka shkuar atje.

“Ne kemi bashkëpunu me institucionet e drejtësisë për t`i identifikuar, është arrestuar personi dhe ka pasur histori radikalizmi. Në mesin e të dyshuarve janë edhe 2 të mitur. Ne kemi kërkuar edhe nga BIK-u në Han të Elezit që të reagojnë lidhur me këtë çështje dhe kemi pasur një takim me ta. Është dashur të dilet me një reagim, jo për diçka tjetër por vetëm të ndahen aktet e dhunës dhe mospajtimi me këto akte të dhunës”- tha tutje kryetari i komunës së Hanit të Elezit.

Musa Vila, kryeimam i BIK-ut në Han të Elezit, ka thënë se arsyeja që nuk kanë reaguar qëndron në faktin se ai ishte në Zvicër dhe se nuk e kishte parë lajmin deri pas 4 ditëve.

“Kur ka ndodhur rasti unë isha mysafir, vonë e kam marr vesh dmth pas 4 ditëve që është djegur bredhi. Kur e kam kuptuar kam folur me personin përgjegjës në BIK në Han të Elezit që është dashur të dalë me një reagim kundër kësaj dukurie por nuk më ka dhënë përgjigje.

Ai, djegien e bredhit e ka quajtur akt qyqar, duke reaguar kështu në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Raste ka pasur edhe ma herët, ky është akt qyqar, nuk guxon me bo askush një gjë të tillë, një gjë që është publike duhet të ruhet ne si qytetarë duhet me e përshëndet dhe nuk kemi asgjë kundër kësaj. BIK nuk prodhon akte të dhunshme edhe me nxit njerëz të tillë, përkundrazi personat e tillë na kanë sulmu me qindra herë”- thotë imami i Hanit të Elezit, Vela.

Ndryshe më 28 dhjetor 2023, është djegur bredhi në Han të Elezit.

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K. B., i dyshuar për veprën penale – nxitja, përçarja dhe mosdurimi.

Sipas njoftimit nga Gjykata, i dyshuari fillimisht më 28 dhjetor gjatë natës në Han të Elezit me dashje dhe publikisht ka përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, racore, fetare ose etnike, duke printuar disa afishe me përmbajtje fetare rreth festës së Vitit të Ri.

Paraburgim për të dyshuarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në Han të Elezit

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit ka thënë se njëri nga personat e dyshuar për djegie të bredhit është liruar nga policia dhe ka shkuar në Suedi.

“Ai ka pasaportë suedeze dhe e kanë liruar policia pasi që i njëjti ka pasur të udhëtoi në atë shtet”- tha Ballazhi.

Ndërsa Gashi nga Kallxo.com ka thënë se më e rrugës do të ishte që këta të rinj të cilëve nuk u ka pëlqyer vendosja e bredhit në komunën e tyre, të protestonin.

“Kërkush si kish nalë me marr një pankartë dhe me dalë me thanë që na jena kundër vendosjes së bredhit në Han të Elezit, më shumë ishin ba lajm me bo atë gjë publike, sesa me e djeg bredhin, me bo damin edhe me ja bo vetës problemin me shku në burg. Edhe ky që ka shku në Suedi, ka me pas probleme sepse kudo që lëviz kanë me ndalu sepse me qenë i dyshimt për vepra të tilla është bukur problematike”- tha Gashi.

Gashi ka shtuar gjithashtu se sulmi nga grupet radikale fillimisht ka nisur nga imamët. Sipas tij kleri islam shpesh herë janë më të rrezikuar nga grupet radilake.

“Nuk mendoj që u kemi dhënë mbrojtjen e nevojshme edhe publike edhe institucionale imamëve të qendrës, të cilët e promovojnë islamin, edhe mediat edhe shoqëria kemi vendos me ju thanë të gjithëve radikal e kjo është problematike”- thotë Gashi.

Tutje shtoi se si shoqëri, si institucione duhet të garantojmë mbrojtje për ta.

“Jo mbrojtje me polici, por thjeshtë me e bo diferencën”- tha Gashi.

Vehbi Mujku njohës i çështjeve sociale ka thënë se kjo çështje është problem global.

“Kryeministri i Holandës dha dorëhejqje për shkak të politikave të gabuara ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit, tash kryeministri i Francës, pra problem global edhe ne nëse tash nuk e parandalojmë dhe nuk punojmë me familje, nuk punojmë me shoqërinë, na s’jemi kërkund. Nëse s’ki kuadro për me ofru shërbime është e kotë”- tha Mujku.

“Në xhami falen dy xhemate” – Hoxha nga Hani i Elezit policia nuk po na mbron

Musa Vila, kryeimam i BIK-ut në Han të Elezit ka thënë se në xhaminë ku është ky i punësuar falen dy xhemate.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se kanë kërkuar nga policia mbrojtje, por këta të fundit i kanë thënë se “çfarë ndodh brenda xhamisë nuk kemi kompetencë”.

“Tash e gjithë përgjegjësia është mbi mua, unë si individ duhet të merrem me individ të caktuar ekstrem. Policisë i kemi kërkuar disa herë mbrojtje por s’na kanë ofruar një gjë të tillë, kanë thënë se po të ishte jashtë xhamisë do të reagonim, por pse po futen nëpër shtëpi? Unë po kërkoj të ruhet rendi në xhami, aty falen dy xhemate, një falet lartë një falet poshtë, unë jam kundër kësaj dhe kam ngrit zanin”- tha Vila.

“P.sh. unë jam imam, ai nuk lidhet mas meje, unë falem lartë ai falet poshtë. Çfarë besimtari duhet me qenë ai kur ka urrejtje brenda xhamisë. Kjo vazhdon qe 15 vjet. Për fat të keq njerëz të tillë janë edhe të punësuar në komunë edhe kur vjen në xhami nuk lidhet mas meje se thotë ky është tjetër drejtim. Persona të tillë ka edhe në arsim”- tha Vila.