Hani i Elezit (ilustrim). Foto: Kallxo.com

Probleme me ujësjellës në Han të Elezit, kryeshefi i “Bifurkacioni” thotë se po punohet në rrjet

Banorë të Hanit të Elezit kanë raportuar në KALLXO.com se gjatë ditës së sotme me 24.03.2024 kanë pasur problem me ujin e pijes, ujë i cili ka qenë me turbullira.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryeshefi kompanisë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni”, Jeton Shabani, ka thënë se problemi qëndron tek rrjeti sekondar i ujësjellësit në këtë komunë.

Ai ka bërë të ditur se Fabrika e Trajtimit në fshatin Dimcë të Hanit të Elezit është duke funksionuar mirë, ndërsa kompania është duke rehabilituar rrjetin në tërë komunën dhe për këtë ka mundur që uji të jetë me turbullira.

“Ajo ҫka është problematike në këtë komunë është se jemi duke pasur defekte në rrjetin sekondar dhe jemi duke i sanuar, kjo mund të ketë ardhë si pasojë e kësaj” – ka bërë të ditur Shabani.

Ai ka thënë se “Bifurkacioni” e ka marrë këtë komunë me shumë pak të dhëna rreth rrjetit.

“Pra jemi duke e rehabilituar rrjetin, sepse e kemi marrë në menaxhim këtë komunë me shumë pak të dhëna për komplet rrjetin” – ka thënë në fund Shabani.

Hani i Elezit furnizohet me ujë të pijes përmes KRU “Bifurkacioni”, ndërsa në fshatin Dimcë të kësaj komune është Fabrika e Trajtimit të ujit.