Hani i Elezit vendosi bredh pas 20 vjetësh, pse u dogj?

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka elaboruar pengesat për vendosjen e bredhit të festave të fundvitit në qytet. Bredhi është vendosur në fund të vitit 2023, në oborrin e Komunës, por është djegur.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Ballazhi ka thënë se dekorimi i qytetit për herë të parë ka ndodhur në vitin 2021, kur edhe ka marrë detyrën si kryetar Komune.

“Unë e kam dekoruar qytetin për t’u bërë baraz me komunat e tjera të civilizuara, dikush tjetër ka mundur t’i duket gjë jo e mirë, ndoshta kështu me thanë ‘gjynah’”, – ka thënë Ballazhi.

Ai ka shtuar se bredhi nuk lidhet me fenë.

“Mendoj që secili duhet t’i jap liri secilit, të festojë e të mos festojë, të besojë e të mos besojë, ta respektojë mendimin e tjetrit. Unë kam reaguar për djegien e bredhit në Han të Elezit edhe përmes faqes time që e kam në Facebook si kryetar komune” – tha ai.

Tutje ka shtuar se njëri nga personat që mori pjesë në djegien e bredhit ka pasaportë suedeze dhe ka shkuar atje.

“Ne kemim bashkëpunu me institucionet e drejtësisë për ti identifikuar është arrestuar personi dhe ka pasur histori radikalizmi. Në mesin e të dyshuarve janë edhe 2 të mitur. Ne kemi kërkuar edhe nga BIK-u në Han të Elezit që të reagojnë lidhur me këtë çështje dhe kemi pasur një takim me ta. Është dashur të dilet me një reagim, jo për diçka tjëtër por vetëm të ndahen aktet e dhunës dhe mospajtimi me këto akte të dhunës”, – tha tutje kryetari i komunës së Hanit të Elezit.

Musa Vila, kryeimam i BIK-ut në Han të Elezit, ka thënë se arsyeja që nuk kanë reaguar qëndron që faktin se ai ishte në Zvicër dhe se nuk e kishte parë lajmin deri pas 4 ditëve.

“Kur ka ndodhur rasti unë isha mysafir, vonë e kam marr vesh dmth mbas 4 ditëve që është djegur bredhi. Kur e kam kuptuar kam folur me personin përgjegjës në BIK në Han të Elezit që është dashur të dalë me një reagim kundër kësaj dukurie por nuk më ka dhënë përgjigje.

Ai, djegien e bredhit e ka quajtur akt qyqar, duke reaguar kështu në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Raste ka pasur edhe ma herët, ky është akt qyqar, nuk guxon me bo askush një gjë të tillë, një gjë që është publike duhet të ruhet ne si qytetarë duhet me e përshëndet dhe nuk kemi asgjë kundër kësaj. BIK nuk prodhon akte të dhunshme edhe me nxit njerëz të tillë, përkundrazi personat e tillë na kanë sulmu me qindra herë”, – thotë imami i Hanit të Elezit, Vela.

Ndryshe me 28 dhjetor 2023, është djegur bredhi në Han të Elezit.

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.B., i dyshuar për veprën penale – nxitja, përçarja dhe mosdurimi.

Sipas njoftimit nga Gjykata, i dyshuari fillimisht më 28 dhjetor gjatë natës në Han të Elezit me dashje dhe publikisht ka përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, racore, fetare ose etnike, duke printuar disa afishe me përmbajtje fetare rreth festës së Vitit të Ri.

Paraburgim për të dyshuarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në Han të Elezit