Debat Pernime, Suharekë. Foto: Atdhe Mulla

Rivalët e Akuzojnë Kryetarin për ‘Punime Gjatë Fushatës’   

Kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës kanë drejtuar kritika ndaj Kryetarit aktual, Sali Asllanaj, për atë që ata e quajnë mashtrim elektoral.

Në Debat Pernime Kadri Balaj nga Nisma për Kosovën tha se Suhareka ka pasur një vlug të punimeve nëpër rrugë me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore.

“Është interesant që gjithmonë punimet fillojnë kur shpallen zgjedhjet lokale e në fakt duhet të ndërpriten punimet, sidomos kur vijnë mërgimtarët. Janë mashtrime elektorale”, tha Balaj.

Të njëjtin mendim e pati edhe Blerim Xhemajli nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Kryetari për katër vite nuk ka punuar sap o punon në muajin e fundit, kisha pasë dëshirë që gjithmonë kryetari me punu kështu”, tha Xhemajli.

Këto akuza i mohoi Sali Asllanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës duke drejtuar akuza tek subjektet e tjera politike.

“Po e vërej një frikë prej kolegëve të mi sepse asnjë projekt nuk bëhen pa kalu në asamble”, tha Asllanaj.

I ftuar në debat ishte edhe Bajram Tërshani nga Aleanca për Armdhërinë e Kosovës i cili edhe pse e konfirmoi pjesëmarrjen nuk erdhi në debat.