Flamuri serb te Kalaja e Zveçanit, Foto: KALLXO.com
Flamujt serbë vazhdojnë të jenë të vendosur nëpër qytetin e Leposaviqit dhe në Kalanë e Zveçanit
Faqe të ndryshme të internetit dhe faqe nëpër rrjete sociale vazhdojnë të publikojnë postime rreth pranisë së flamurit serb në katër komunat me shumicë sebe në veriun e Kosovës. “Asnjë flamur serb”, “Largohet flamuri nga kalaja e Zveçanit” janë vetëm disa prej titujve të lajmeve që janë duke qarkulluar në internet.
Deklarata të tilla në vazhdimësi publikohen në faqe të ndryshme, e të njëjtat arrijnë edhe në vendin fqinj, Serbinë.
Janë publikuar informatat përmes të cilave tentohet të manipulohet publiku, siç është rasti i postimit të bërë më 13.02.2024 në faqen e Facebook “Sje kacanikli nese VIDEO” (Arkivi).
Në këtë postim “Veriu po frymon ndryshe, asnjë flamur serb rreth Komunës së Leposaviqit. Tani aty valon flamuri i Kosovës”.
Në po të njëjtën fotografi mund të shihet flamuri i Kosovës, por edhe flamuj të Serbisë që janë të vendosur në rrethojën e vendosur nga KFOR para objektit të Komunës së Leposaviqit.
Protestuesit serbë më 30.05.2023 (Arkivi) kishin vendosur flamuj në pengesat që ishin vendosur nga KFOR.
Këta flamuj më pas u larguan kur u larguan edhe pengesat e KFOR, më 22.04.2024 (Arkivi), këto pengesa nuk gjendeshin më aty.
Por, flamuj të tillë, pra të Serbisë, gjenden ende rreth Komunës së Leposaviqit.
KALLXO.com në mesditën e datës 13.05.2024 nga një vizitë që ka pasur në këtë qytet ka konfirmuar që flamujt janë ende aty e se nuk janë larguar.
KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka thënë se asnjë flamur që është në rrugët e komunave veriore nuk është larguar nga ana e institucioneve të Kosovës.
Një rast i njëjtë është edhe ai me faqen e Facebook “Gazeta e Re” (Arkivi) e cila më 20.02.2024 kishte shpërndarë një fotografi me përshkrimin “Flamuri serb largohet edhe nga kalaja e Zveçanit”.
KALLXO.com po ashtu në mesditën e datës 13.05.2024 ka konfirmuar se edhe flamuri i Serbisë vazhdon të jetë në Kalanë e Zveçanit, ani pse i njëjti ishte larguar e pastaj ishte vendosur prapë.
Edhe për këtë rast, Elshani tha se nuk e kanë larguar ndonjëherë këtë flamur që është i vendosur në Kalanë e Zveçanit.
Neni i 6 i Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës parasheh përdorimin e flamujve kombëtarë.
Ky nen shpjegon se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të përdorë flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me legjislacionin tjetër në fuqi e se qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë kanë të drejtën, në mënyrë individuale apo si komunitet, të përdorin flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me standardet ndërkombëtare.