Plagosja në fshatin Gjonaj të Prizrenit, arrestohet një i dyshuar

Pas plagosjes së dy personave në fshatin Gjonaj të komunës së Prizrenit, më 22.05.2024, Policia ka njoftuar se të plagosurit ishin sulmuar me armë zjarri dhe mjete të forta nga tetë të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes në dy lokacione janë gjetur dhe konfiskuar tre gëzhoja, ndërsa është arrestuar një nga të dyshuarit.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po ashtu Policia njofton se gjatë bastisjes në dy lokacione ka hasur në një automjet që dyshon se është përdorur në kryerjen e veprës.

“Me vendim të prokurorit është bërë bastisja në dy lokacione, gjatë kontrollit është hasur dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit meshkuj kosovarë, po ashtu është hasur dhe një kamionetë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës ku brenda saj janë gjetur dhe konfiskuar 37 fishekë që dyshohet të jenë të armës me gaz” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.05.2024.

Rasti është iniciuar si ‘Vrasje në tentativë’.

Lajmin për plagosjen e dy personave në fshatin Gjonaj të Prizrenit e kishte konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, më 22.05.2024.

Sipas tij, në këtë incident janë të plagosur dy persona, njëri me armë zjarri dhe tjetri me mjete të forta.

Ai ka thënë së të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Kurse, Policia njofton se një nga të plagosurit është liruar pas trajtimit mjekësor, ndërsa tjetri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm.