Skelet e rrëzuara mbi automjetet në Prishtinë, 21.05.2024.
Rrëzimi i skeleve në Prishtinë, zyrtari i IHMK-së flet për shpejtësinë e erës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka folur lidhur me shpejtësinë e erës në kohën kur disa skele u rrëzuan më 21.05.2024 në Prishtinë, duke shkaktuar dëme materiale.
Besim Aliu, Koordinator dhe Parashikues i Motit në IHMK në një bisedë me KALLXO.com tha se shpejtësia e erës më 21.05.2024 në orën 16:13, kur ka ndodhur incidenti, ka qenë 4m/s, sipas matjeve që bëhen te objekti i këtij institucioni, në rrugën “Lidhja e Pejës”, në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë.
Por, duke u bazuar në pamjet e incidentit, Aliu tha se shpejtësia e erës në vendin e ngjarjes ka qenë shumë më e madhe, për shkak se infrastruktura është ndryshe në qendër të qytetit.
“Stacioni meteorologjik ku është i vendosur, aty nuk ka pengesa, nuk ka drunj. E aty në qytet, te Qafa ka shumë ndërtesa, ato hapësirat ku qarkullojnë veturat e njerëzit, aty mund të krijohen erëra të fuqishme, por janë momentale, në një territor shumë të izoluar” – u shpreh ai.
Siç thotë ai, shpejtësia 4m/s është erë shumë e lehtë, mirëpo bazuar në video, ai thotë se shpejtësia e erës duhet të ketë qenë mbi 25 m/s.
“Në bazë të asaj videoje, jam shumë i sigurt se ajo shpejtësi ka qenë mbi 25 m/s. Ajo shpejtësi mund të shkaktojë dëme të tilla” – tha Aliu, i cili shton se për ta ditur vlerën e saktë, duhet të bëhet matja me anemometër.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se policia është duke hetuar rastin dhe shkaqet, ndërsa inspektorët komunalë ende nuk kanë përfunduar raportin.
Fushtica, më 21.05.2024, nga vendi i ngjarjes tha se dyshohet që era e fortë të jetë shkaku, por nuk dihet sigurt.
“Policia dhe hetuesia e kryn punën e vet, janë edhe incizimet e kamerave. Nuk mundem me prejudiku se cili ka qenë shkaku, pa u kry hetimi i policisë dhe vlerësimi i inspektorëve” – tha ai më 22.05.2024 për KALLXO.com.
Drejtori shtoi se kanë punuar deri në orën 1 pas mesnatës për të eliminuar rrezikun dhe se kanë larguar të gjitha skelet.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për t’i pyetur lidhur me veprimet që kanë ndërmarrë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Policia nuk ka kthyer përgjigje.
Një qytetar që ishte në vendin e ngjarjes ka rrëfyer për KALLXO.com momentin e rrëzimit të skeleve.
Bedri Alshiqi shpëtoi pa lëndime pasi që arriti të ikte me vrap nga skelet.
“Shyqyr që shpëtuam” – thotë ai, ndonëse automjeti i tij është njëri prej disa automjeteve që i zunë skelet.
Ai tregon se si u largua pasi dëgjoi zhurmën e skeleve.
“E ndeza kombin, duke u nisë, veç kur ka bo: uaaap (përshkruan zhurmën). Edhe u largova, dola prej kombit. Pasi që shpëtum veç ia bojsha kresë kështu (kap kokën me duar)” – tha Alshiqi.
Momenti i ikjes së tij shihet edhe në pamjet e siguruara nga KALLXO.com.