Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

UP-ja u bën thirrje deputetëve ta miratojnë statutin e ri

Universiteti i Prishtinës u ka bërë thirrje partive parlamentare që ta miratojnë statutin e ri të këtij universiteti gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Në thirrjen e saj, UP-ja ka përmendur faktin se Statuti po ndryshohet pas më tepër se 12 vjetësh.

“Statuti po ndryshohet pas më tepër se dymbëdhjetë (12) vjetësh dhe duke marrë parasysh përmbajtjen dhe shpejtësinë me të cilën kanë lëvizur dinamikat dhe trendet në arsimin e lartë, status quo-ja ka qenë zgjidhje qartazi e paqëndrueshme dhe ndryshimet të ngutshme e të domosdoshme. Në të vërtetë, shumë prej kritereve dhe kërkesave statutare nuk kanë ndryshuar që nga Statuti i miratuar në vitin 2003” – thuhet në njoftimin e UP-së, më 23.05.2024.

UP vlerëson se në dimensionin strukturor, statuti parasheh një funksion më të decentralizuar të universitetit, duke bartur e saktësuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien menaxheriale drejt rektorit dhe dekanëve, ndërsa në anën tjetër parasheh rol më të fuqizuar akademik të senatit dhe këshillave të njësive akademike. 

“Statuti përcakton rregulla që avancojnë aspiratat për barazi gjinore, synojnë të rrisin kriteret për zgjedhje në pozita drejtuese dhe përmbajnë ndalesa për periudha të konsiderueshme kohore për personat, të cilët ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione të larta partiake apo politike dhe synojnë pozita drejtuese në universitet” – shton UP.

Sipas UP-së, me statutin e ri, universiteti reflekton qartë koherencën me politikat dhe parimet e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për sigurimin e brendshëm të cilësisë dhe parashihen edhe politika të reja për vlerësim dhe menaxhim të performancës së personelit akademik. 

Me këtë rast janë përmendur disa nga politikat e reja që sjell miratimi i këtij statuti.

“Studimet e strukturuara pasdoktorale, lejimi i formave moderne të mësimdhënies si mësimi online apo ai i kombinuar, fuqizimi i mekanizmave shtesë për të drejtat e studentëve si p.sh.: krijimi i institucionit të Ombudspersonit, si dhe fuqizimi i rolit të studentëve në vlerësimin e performancës së stafit akademik janë disa nga politikat e reja që sjell miratimi i këtij statuti” – ka shpjeguar UP.

Sa i përket standardeve të avancimeve akademike, UP thotë se statuti parasheh një ngritje të dukshme të kërkesave për avancimet akademike të personelit dhe lehtësime administrative që personeli akademik të mos e shohë procesin e avancimit apo rizgjedhjes si proces të imponuar.

Sipas tyre, këto standarde i janë dashur Kosovës për ta rritur produktivitetin shkencor. 

“Statuti parasheh standarde më rigoroze, ndonëse më të sakta dhe qartazi proporcionale, për marrjen e thirrjes së parë të profesorit (zgjedhja në profesor asistent) dhe në marrjen e thirrjes së fundit (profesor i rregullt). Standarde të tilla i janë dashur Kosovës në mënyrë që të rritet produktiviteti shkencor, të rritet cilësia e publikimeve shkencore dhe në këtë mënyrë të përmirësohet gjendja në rangimin e universitetit dhe Kosovës në nivel rajoni dhe më gjerë” – kanë thënë nga UP.

Si rrjedhojë, nga UP shprehen se ky statut e bën UP-në më mirë të pozicionuar ndaj sfidave mbizotëruese të kohës dhe më reaguese ndaj realiteteve të ndryshueshme shpejt, përfshirë këtu trendin e rënies konstante të numrit të studentëve, si dhe e përafron atë me universitetet përtej vendeve fqinje.

“UP-ja ka çdo arsye të besojë dhe potencial të materializojë ambicien krejtësisht legjitime të një institucioni të lartë të dijes që, jo vetëm krahasohet në rrafshin e standardeve e të fuqisë kërkimore dhe akademike, por edhe konkurron në terma seriozë me institucionet homologe në rajonin e gjerë dhe në kontinent… Andaj, ftojmë deputetët e të gjithë partive në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dallim, të votojnë këtë Statut dhe të hapin rrugë për universitetin që të realizojë këtë vizion reformues” – kanë përfunduar nga UP.

Në anën tjetër, Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës i votuar nga Senati i UP-së në fund të muajit korrik, u votua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 12.10.2023.

Statuti i ri i UP-së u miratua më 14.05.2024 në Komisionin  për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport.