Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtatë muaj pasi raportoi se u kërcënua në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, Albena Reshitaj dëshmoi në Këshill të Etikës

Profesoresha e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, Albena Reshitaj, ka dëshmuar para Këshillit të Etikës të UP-së në lidhje me kërcënimin që e raportoi se i ndodhi nga dy asistentët e Ortodoncisë, Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti, më 18.10.2023 në Fakultetin e Mjekësisë.

Kjo dëshmi e profesoreshës Reshitaj në Këshillin e Etikës të UP-së vjen shtatë muaj pas raportimit të saj publik se ishte kërcënuar brenda hapësirave të UP-së.

Në një bisedë për KALLXO.com, Reshitaj ka thënë se e kanë pyetur se si kishte ndodhur rasti dhe ajo ua ka shpjeguar, sipas saj, duke ua dëshmuar me dokumente.

Sipas Reshitajt, Këshilli i Etikës i UP-së e kanë pyetur se pse dekania e Fakultetit të Mjekësisë nuk kishte marrë veprime për këtë rast.

“Unë e kam dërguar ankesën (ndaj Sokol Krasniqit dhe Blerim Mehmetit) në Dekanat, dekania e ka sjellë te ju” – ka deklaruar Reshitaj se u është përgjigjur anëtarëve të Këshillit të Etikës.

KALLXO.com ka kërkuar nga Këshilli i Etikës dhe Rektorati i UP-së që ta monitorojë këtë seancë dëgjimore, por ata nuk kanë pranuar.

Katër burrat që e përbëjnë Këshillin e Etikës janë: Iset Morina (kryetar i KE) dhe anëtarët Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.

Më 22.04.2024 KALLXO.com ka raportuar për kërcënimin që Reshitaj pretendon se ka ndodhur në Fakultetin e Mjekësisë dhe se si ishte trajtuar ky rast nga Këshilli i Etikës i UP-së, Policia e Prokuroria.

Si rrjedhojë, 6 muaj pas raportimit publik të Albena Reshitajt për kërcënim brenda hapësirave të UP-së, Këshilli i Etikës i UP-së nuk e ka ftuar për intervistim as Reshitajn e as Nora Berishën, që ka qenë dëshmitare e këtij rasti. 

Reshitaj ka treguar për KALLXO.com se kjo ngjarje ka ndodhur në një mbledhje në zyrë të saj. Prezente ishte edhe Nora Berisha, po ashtu asistente e Ortodoncisë.

Sokol Krasniqi, Blerim Mehmeti dhe Nora Berisha janë asistentë të lëndës Ortodonci Klinike, të cilën e ligjëron Reshitaj në Klinikën e Stomatologjisë, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë.

Sokol Krasniqi njëherazi është edhe shef i Klinikës së Stomatologjisë, ndërsa Reshitaj shefe e katedrës së Ortodoncisë dhe deputete në Kuvendin e Kosovës.

Blerim Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e asistentit në FM, sipas një dokumenti të datës 29.02.2024, të cilin KALLXO.com e ka parë.

Sipas këtij dokumenti, Mehmeti e ka arsyetuar dorëheqjen se nuk është avancuar me titullin profesor dhe se në këtë vendim, siç ka shkruar ai, ka qenë përcaktues ‘presioni jonjerëzor nga shefja e Katedrës së Ortodoncisë Albena Reshitaj’.

Reshitaj e kishte paraqitur kërcënimin më 18.10.2023 në Polici. Kur KALLXO.com dërgoi pyetje në Polici e Prokurori lidhur me këtë rast, Prokuroria e Prishtinës e konfirmoi se ende janë duke kryer hetime.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprime hetimore karshi kësaj çështjeje penale, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje për shkak të integritetit të procedurës” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë më 15.03.2024.

I gjithë ky konflikt mes tyre, sipas Reshitajt, kishte lindur për shkak të insistimit të asistentëve Mehmeti dhe Krasniqi që Reshitaj, si shefe e katedrës së Ortodoncisë, të kërkonte nga UP-ja që të hapte konkurs për profesor në Fakultetin e Mjekësisë në mënyrë që ata të kishin mundësinë të avancoheshin në pozita të profesorit.

Por, bazuar në rregulloret e UP-së, Fakulteti duhet të dëshmojë që ka fond të mjaftueshëm të orëve për të hapur konkurs për këtë pozitë. 

Për shkak se nuk kishte orë të mjaftueshme për të hapur konkursin për pozitën e profesorit, Reshitaj ka treguar se e ka pyetur Rektoratin e UP-së, më 31.01.2023, se a kanë të drejtë t’u marrin orë të ligjëratave obligative nga norma e tyre e rregullt mësimdhënësve të cilët tashmë janë të emëruar dhe kanë kontratë të rregullt.

UP i është përgjigjur Reshitajt, më 21.02.2023, duke i thënë se nuk kanë të drejtë t’i marrin orët e ligjëratave obligative, bazuar në rregulloret e UP-së, për të hapur konkursin për asistentë e mësimdhënës. Si rezultat i kësaj, pasi nuk është hapur konkursi, asistentët Mehmeti dhe Krasniqi nuk janë avancuar në profesor.

Më 20.10.2023, dy ditë pas kërcënimit të pretenduar në zyrë të Reshitajt, Krasniqi dhe Mehmeti i kërkojnë Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë ta shkarkojë Reshitajn nga pozita e shefes së Katedrës të Ortodoncisë. 

Arsyetimin që e përdorin në këtë kërkesë është se Reshitaj është deputete e Kuvendit të Kosovës, prandaj duhet të shkarkohet, edhe pse rregullorja e UP-së nuk ia ndalon një deputeti të jetë shef katedre.

Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti, asistentët e Ortodoncisë, kur janë kontaktuar nga KALLXO.com e kanë mohuar se e kanë kërcënuar Reshitajn.

Një muaj pas kërcënimit që e raporton Reshitaj, Sokol Krasniqin e raportojnë edhe dy kolege të tjera të Ortodencisë, Nora Aliu dhe Nora Berisha (dëshmitare në rastin e Reshitajt) të cilat, në ankesën e deponuar thonë që Krasniqi i ka penguar në mbajtjen e procesit mësimor. 

Kjo ankesë, të cilën Kallxo.com e ka parë, është deponuar në Fakultetin e Mjekësisë më 08.11.2023, dy ditë pasi ka ndodhur.