Mungon një i akuzuar dhe një avokat, dështon seanca për shpërthimin në lokain 'Riza Hair Salon' dhe 'Missini'
Ka dështuar mbajtja e seancës gjyqësore lidhur me rastin e shpërthimit në lokalin e berberit “Rizza Hair Salon” dhe “Missini”.
Mungesa e Gentrit Ismajlit dhe mungesa e avokates Merita Bajraktari që mbron të akuzuarin Valdrin Beqiri, kanë pamundësuar që të filloj seanca gjyqësore.
Sipas avokatit Ilir Bekteshi që mbron të akuzuarin Ismajli, gjyshi i klientit të tij e ka njoftuar se Gentrit Ismajli nuk mund të prezantoj në seancë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Në këtë rast pos Ismajlit, të akuzuar janë: Adhurim Krasniqi, Lundrin Beqiri, Bekë Salihaj, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Canolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, për veprime përgatitore për “Vrasje të rëndë”, pjesëmarrje në grup kriminal, detyrim, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e vepra të ngjashme penale.
Në këto rrethana seanca e sotme më 23.05.2024, ku pritej të jepeshin fjalët përfundimtare, nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me kodin e procedurës penale që të vazhdohet tutje. Seanca e radhës është caktuar më 28.05.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, që përfaqësohet nga prokurori Burim Çerkini, në mesin e vitit 2022, të akuzuarit me veprimet e tyre kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit për përfitime pasurore të kundërligjshme apo për qëllime të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.
Sipas aktakuzës i pandehuri Arianit Pllana, më 6 qershor të vitit 2022, ka marrë urdhër-detyrë nga i pandehuri Lundrim Beqiri, i njohur me nofkën Haveri, që për qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm t’ia hedhë një grandë dore lokalit të të dëmtuarit “Missini” me qëllim që i njëjti t`i paguaj shumën prej 10 mijë euro, dhe në të njëjtën ditë i është hedhur granada e dorës por që nuk ka pasur pasoja në njerëz por vetëm në dëme materiale.
Kurse më 18 qershor të vitit 2022 të pandehurit Fidan Cakolli e Diar Raçi kanë marrë detyrën nga i pandehuri Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri që për motive të ulëta përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale nga (Riza Bajrami), më datën 19 qershor (2022) të hedhin mjete shpërthyese tek lokali i tani të dëmtuarit Riza Bajrami (në këtë rast) i cili është pronar i biznesit “Riza Hair Salon”. Të njëjtit sipas Prokurorisë kanë hedhur koktej molotovi.
Më 20 qershor të vitit 2022, sipas Prokurorisë i akuzuari Arianit Pllana kishte marrë përsipër detyrën nga Valdrin Beqiri dhe Adhurim Krasniqi, që ta privojnë nga jeta Riza Bajramin, dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore duke siguruar mjetet për ta përfunduar vrasjen (e cila kishte dështuar më datën 19 qershor të vitit 2022). Vrasje e cila ishte parandaluar që të kryhet pas veprimeve të masave të fshehta që kishte bërë Policia.
Aktakuza shpjegon tutje se më 22 qershor të vitit 2022, të pandehurit Fidan Cakolli, Diar Raçi dhe Gentrit Ismajli kanë ndërmarrë veprimin e sulmit të dytë me granatë dore te lokali i njëjtë i të dëmtuarit Riza Bajrami në lagjen Dardania në Prishtinë.
Granatën e dorës në sulmin e dytë sipas Prokurorisë e ka hedhur Gentrit Ismajli dhe bashkë më të kishte qenë edhe i akuzuari Diar Raçi. Sipas Prokurorisë dëme në njerëz nuk ka pasur përpos në tri makina.
Ismajli së bashku me Fidan Cakollin dhe Diar Raçin sipas aktakuzës urdhërat i kishin marrë nga i pandehuri Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi dhe Vladrin Beqiri. Granata e dorës ishte siguruar nga Fidan Canolli përmes të pandehurit Adnan Murtezi. Roli i Cakolli sipas Prokurorisë ka qenë që të vërtetoj se si ka ndodhur sulmi me video-incizim të vendit ë ngjarjes. Video e cila do t`i dërgohej të akuzuarit Adhurim Krasniqi.
Ndërsa sipas aktakuzës roli i Adnan Murtezit ishte që pas komunikimit me të pandehurin Adhurim Krasniqi dhe Valdet Beqiri që pas sigurimit të granatës së dorës për të pandehurit e tjerë do të kryente edhe pagesën për ekzekutorët e sulmit.
Kurse i pandehuri Lundrim Beqiri më 28.06.2023, sipas Prokurorisë pas dështimit të sulmit të datës 06.06.2022 te lokali “Missini”, përsëri ka dhënë urdhër tek personat e tjerë të hidhet përsëri granatë dore tek lokali, qëllimi ishte të detyrojnë pronarin të paguaj shumën prej 10 mijë euro.
Sipas aktakuzës sulmi në lokalin “Missini” ka ndodhur dy herë, më datë 06.06.2022 dhe më 28.06.2022.
Për këto veprime të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, veprime përgatitore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe shkaktimi i rrezikimit të përgjithshëm si dhe detyrim.
Për deklarim të rremë është i akuzuari Arianit Pllana, ashtu që i njëjti më datën 16.11.2018 në zyret e prokurorisë së shtetit ka dhënë dëshmi të rreme, në një procedurë tjetër penale. Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanovqit, duke përfshirë të akuzuarin Ndelejko Spasojeviq se kinse të njëjtin e ka parë më datë 15.01.2018 në vendin ku ishte gjetur vetura e djegur “Astra”, e cila dyshohet se ishte përdorur për t`u kryer vepra penale.
Pllana e kishte konfirmuar këtë edhe në procesverbalin e identifikimit të mbajtur nga Policia e Kosovës, edhe se e ka ditur se në të njëjtën datë, 15.01.2018 nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes por i njëjti ka qenë nën masën e paraburgimit në qendrën e paraburgimit në Pejë.
I njëjti në seancën dëgjimore më datën 27.05.2022 para trupit gjykues ka pranuar se nuk ka dëshmuar të vërteten me arsyetimin, se ka qenë nën masën e paraburgimit në kohën kur ka dëshmuar për atë rast.
Lundrin Beqiri akuzohet edhe për posedim të narkotikëve.
Më 01.12.2021 Policia e Kosovës e kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Beqirit pasi i njëjti ishte i akuzuar për vrasje në një rast tjetër.