Ilustrim
QKUK jep detaje për gjendjen e të plagosurve në Pejë, njëri në gjendje kritike
Njëri prej të plagosurve në Pejë mbrëmë më 22.05.2024 është në gjendje të rëndë, përderisa dy të tjerët janë në gjendje stabile.
I plagosuri në gjendje kritike është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Pas një intervenimi të gjatë kirurgjik ka ardhë në Mjekimin Intensiv Qendror. Lëndimet e kanë pru pacientin në gjendje shumë të rëndë të shokut, për shkak të gjakderdhjes shumë të madhe që e ka pësu. Gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe kritike” – tha shefi i Intensivës, Shaqir Uka për KALLXO.com.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ku fillimisht u pranuan këta pacientë që u transferuan nga Spitali i Pejës, tha se gjendja e dy të tjerëve është e rëndë por stabile.
Ndërsa, Drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj tregoi se dy prej tyre janë operuar nga kirurgë të fushave të ndryshme dhe njëri është i shtrirë në repart, në gjendje stabile.
“Dy të plagosur kanë qenë që janë operu prej kirurgëve abdominalë në bashkëpunim edhe me urologë e ortopedë. Njëri është në repart i shtrirë, tjetri në kujdes intensiv. Ky në abdominale për momentin është stabil” – tha Fekaj.
Plagosja e tre personave ndodhi dje më 22.05.2024, rreth orës 21:25 në Pejë.
Përderisa i dyshuari kryesor për këtë rast, Agron Gashi, 21-vjeçar është në arrati, një person tjetër është arrestuar si i dyshuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
Arrestohet një person lidhur me plagosjen në Pejë, i dyshuari kryesor ende në arrati