Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Kallxo.com

Haki Rugova do t'i Ndërrojë Drejtorët Komunalë

Kandidati i LDK-së për Istogun, Haki Rugova, në DebatPernime ka deklaruar se ndër vendimet e para të tij do të jetë caktimi i emërimi i drejtorëve. Mirëpo ai nuk ka treguar se kush do të jenë drejtorët, pasi ai ka thënë se kjo do të varet edhe nga koalicionet të cilat do të lidh ai me partitë tjera.

Rugova, ka premtuar se nëse rizgjidhet kryetar brenda një muaj do t`i publikojë të gjitha pronat e uzurpuara publike dhe komunale.

“Ndryshime do të ketë por do të plotësohen me emrat e partive të koalicionit”, tha Haki Rugova.

“Do të jetë një staf më i ri, kompetent, profesional”, shtoi ai.

Në këtë debat, të cilin prezent është vetëm kandidati i LDK-së Haki Rugova, pritej që të dy kandidatë t`i shpalosnin programet për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Rugova e Dreshaj morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Istogut.

Rugova i LDK-së ka fituar në rrethin e parë 45,36% për qind të votave, ndërsa Dreshaj i AAK-së  35.63 për qind.

Votimet për balotazhin do të zhvillohen të dielën e ardhshme, më 19 nëntor.