Ilustrim, Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Foto- Policia i gjen mitraloz, pistoleta e municion 21 vjeçarit në shtëpi në Caralluk të Istogut 

Të shtëna me armë ishin dëgjuar gjatë datës 10.04.2024 në fshatin Caralluk të Istogut ndërsa ishte njoftuar edhe policia në lidhje me këtë rast. 

Në bazë të njoftimit të Policisë së Kosovës, ishte marrë informacioni se një person i dyshuar po gjuan me armë zjarri ndërsa menjëherë ekipet policore i ishin përgjigjur rastit. 

Me të shkuar në vendin e ngjarjes policia ka hasur të dyshuarin i cili vetë kishte deklaruar se posedon armë. 

Në lidhje me rastin ishte njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe më pas ishte bërë edhe bastisja e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të A.A., 21 vjeç. 

Gjatë kontrollit policia kishte gjetur armë automatike e municion. Sipas njoftimit të policisë 21 vjeçarit të dyshuar i është gjetur një pushkë automatike/ mitraloz, një karikator i rrumbullakët, një fishek kalibër i panjohur, dy gëzhoja, dy pistoleta dhe një karikator. 

I dyshuari është intervistuar nga ekipet e policisë. Pas intervistimit prokurori kujdestar ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.