Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Brenda një dite janë raportuar pesë raste të dhunës në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, në pesë qytete të ndryshme të Kosovës.

Prej këtyre rasteve, tre të dyshuar janë arrestuar.

Në Istog është arrestuar njëri i dyshuar pasi nën ndikimin e alkoolit ka ofenduar një grua.

Rasti ka ndodhur më 03.04.2024, rreth orës 17:50.

Në këtë rast, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër i arrestuar përveç që është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht një grua, po ashtu gjatë verifikimit të tij ka rezultuar edhe me urdhërarrest aktiv dhe është dërguar në vuajtje të dënimit.

Rasti ka ndodhur në Mitrovicë të Jugut, më 03.04.2024, rreth orës 18:40.

Një burrë tjetër është arrestuar pasi pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht një grua në Deçan.

Rasti ka ndodhur më 03.04.2024, rreth orës 21:30.

Gruaja ka pranuar trajtim mjekësor kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Prishtinë ka raportuar se një burrë pas një mosmarrëveshje i ka shkaktuar dhunë psiqike.

Ky rast dyshohet se ka ndodhur më 03.04.2024, rreth orës 10:00.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Kurse, në Pejë një grua ka raportuar se një burrë e ka kanosur.

Sipas njoftimit të Policisë, për këtë rast janë ndërmarr veprime policore për procedura të mëtejme hetimore.

Ngjarja ka ndodhur më 03.04.2024, rreth orës 07:45.