Shpend Ahmeti në tubim me gratë dhe vajzat e Prishtinës - Foto: VV

Ahmeti: Për Barazi Është i Nevojshëm Solidariteti Gjinor

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kandidat për t’u rizgjedhur, Shpend Ahmeti, në një tubim me gra dhe vajza të kësaj komune, theksoi se solidariteti gjinor është më se i nevojshëm dhe vetëm në atë formë mund të thuhet që ka barazi mes grave dhe vajzave.

“Nga përvoja në Komunë të Prishtinës kemi parë që edhe më tutje ka shumë diskriminim në çështjen e pronësisë. Burri dhe gruaja, nëse e kanë një pronë të përbashkët, duhet ta regjistrojnë si të tillë, si të përbashkët. Me keqardhje më duhet të them që brenda një viti, në tërë Prishtinën, kanë qenë vetëm rreth 60 aplikime për ta regjistruar pronën si të përbashkët”, ka thënë Ahmeti në këtë tubim të organizuar nga Qendra e VV-së në Prishtinë.

“Edhe tek çështja e trashëgimisë vazhdon që prona t’iu ndahet vetëm djemve. Pa fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, vështirë që mund të dalim nga ky cikël”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, tha se është shumë me rëndësi që ta bëjmë barazinë në fillim, ashtu që të mund të kemi rezultate të barabarta në fund.

“E dimë që në shoqërinë tonë bëhet problematik angazhimi i grave, posaçërisht në mosha të caktuara, për shkak të barrës që iu mbetet atyre për kujdesin ndaj shtëpisë dhe të tjerëve në familje. Nuk mund të ketë barazi në finale, kur nuk ka barazi paraprakisht”, theksoi ajo.

Më tej, Aida Dërguti shtoi se gratë dhe vajzat që punojnë e kanë orarin e njëjtë të punës me burrat dhe djemtë, mirëpo kur kthehen në shtëpi e kanë edhe një orar shtesë me punët e shtëpisë.

“Kjo pabarazi në fillim ua pamundëson atyre që të jenë të barabartë me burrat në rezultatin përfundimtar”, tha ajo në tubimin ku u prezantuan edhe kandidatet e Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal.