Shpend Ahmeti i dorëzon detyrën Përparim Ramës

Ish kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i ka dorëzuar detyrën e kryetarit të ri Përparim Rama.

“Mos ndërro shumë në zyrë, sepse unë i kam larguar disa sende të Isa Mustafës”, i tha Ahmeti kryetarit të ri Rama.

“Kjo Përparim është detyra më e vështirë në Kosovë. Qytetarët drejtohen këtu për çdo problem. Të uroj në realizim e të gjitha premtimeve që i ke dhënë”, ka shtuar Ahmeti.

Ai i ka thënë Ramës se është në dispozicion ta ndihmojë, sa herë që ai mund të ketë nevojë.

“Projektet që kemi lënë shpresoj t’i vazhdoni”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka porositur Ramën që në Kuvend të mundohet t’i bashkojë njerëzit.

Kryetari Rama tha se për të është nder i madh të jetë i pari i Prishtinës.

“Prishtina është qytet i karakterit unik, dashuria për këtë vend na bashkon të gjithëve. Kemi shumë sfida përpara dhe besoj që bashkë do i kalojmë’, ka thënë Rama.