Ish-sekretarja e ShBA, Hillary Clinton me videomesazh në Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Forumi për Gratë, Hillary Clinton kujton vizitën në kampin e refugjatëve kosovarë në Maqedoni të Veriut
Ish- Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, e ka vlerësuar të rëndësishëm Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Kosovë nën organizimin e presidentes, Vjosa Osmani.
Ajo i është bashkuar Forumit përmes një videomesazhi, në të cilin ka përmendur vizitën e saj në kampet e refugjatëve në Maqedoni të Veriut, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Më kujtohet mirë kur vizitova kampet e refugjatëve në Maqedoni kur unë isha Zonja e Parë e ShBA-ve dhe dëgjoja kosovarët duke më treguar mua historitë e tyre të masakrës dhe eksodit të dhunshëm. Pasi Bill-i [Bill Clinton- ish presidenti i ShBA-së] thirri NATO-n për t’i dhënë fund spastrimit etnik të përgjakshëm dhe për të ndaluar Millosheviqin ne udhëtuam në Kosovë dhe u takuam me gra që rindërtonin jetët e tyre” – ka kujtuar Clinton.
Gjatë kësaj vizite në Kosovë që kishte pasur, Clinton tha se ka ndjekur dhe mbështetur nga afër progresin drejt ruajtjes së paqes.
“Si Sekretare e Shtetit, unë po ashtu ndoqa dhe mbështeta nga afër progresin që bëhej drejt ruajtjes së paqes. Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë” – ka thënë Clinton.
Ky forum, sipas saj, është një konfirmim esencial për të përforcuar zërat e grave, fuqizuar pjesëmarrjen e grave në të gjitha hapat e jetës dhe për të siguruar ekuilbër gjinor, paqe, siguri në Kosovë dhe mbarë botën.
Më 24.03.2024 janë bërë 25 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, përgjatë luftës në Kosovë.
Sulmet kanë zgjatur plot 78 ditë ditë dhe janë ndërprerë me 10 qershor 1999, kur edhe është miratuar Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Dy ditë më vonë, me 12 qershor 1999, ka filluar dislokimi i rreth 50 mijë ushtarëve nga 36 vende të botës, 30 mijë prej të cilëve ishin nga shtetet anëtarë të NATO-s.
Tutje, Clinton konsideroi se gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës, pabarazisë, porse sipas saj, gratë janë agjente të paqes dhe progresit.
Sipas saj, në Kosovë është punuar për të arritur barazi gjinore në sektorin publik dhe në politikë.
“Në një dekadë që kur Kosova ka qenë një shtet i pavarur, aktiivistët e të drejtave të grave, shumë nga kjo dhomë (e Forumit) siguruan kuptimin për zhvillim drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë” – është shprehur Clinton.
Si përfundim, Clinton tha se është e kënaqur për bashkëpunimin e Kosovë me Deparatamentin e Shtetit Amerikan për themelimin e një qendre regjionale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
“Jam e kënaqur që ju do të punoni me Departamentin e Shtetit dhe Insitutin ‘Georgetoën’ për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në themelimin e një qendre regjionale të ekselences, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t’iu mundësoj juve dhe regjionit të kuptoni më mirë premtimin e kornizës së Forumit (ëPS), themeluar nga USA” – ka theksuar Clinton.
Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.
Përveç presidentes së vendit, Vjosa Osmani, të pranishëm në këtë Forum janë edhe Presidentja e Sllovenisë – Natasha Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë – Bajram Begaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë dhe të tjerë pjesëmarrës.
Në ceremoninë hapëse të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj, ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e agjendës së këtij Forumi.
Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.
Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.
“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdo kund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.
“Derisa bashkohemi për të diskutuar për këto çështje jetësore, unë marrë frymëzim të thellë nga gratë guximtare të Kosovës, shumica e të cilave janë me ne sot. Ato e kanë orientuar shtetin tonë përmes kohëve tona më të rënda deri në rrugën duke u bërë arkitekte të paqes” – ka thënë Osmani.
Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur më 23.03.2022, në moshën 84-vjeçare.
Madeleine Albright ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997.
Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.