Presidentja Vjosa Osmani në Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë: Frymëzimin e marrë nga gratë guximtare të Kosovës

Në ceremoninë hapëse të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj, ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e agjendës së këtij Forumi.

Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.

Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.

“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdo kund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.

“Derisa bashkohemi për të diskutuar për këto çështje jetësore, unë marrë frymëzim të thellë nga gratë guximtare të Kosovës, shumica e të cilave janë me ne sot. Ato e kanë orientuar shtetin tonë përmes kohëve tona më të rënda deri në rrugën duke u bërë arkitekte të paqes”

Përveç tyre, Osmani u ka dedikuar një moment të gjitha grave, vajzave që ndodhen aktualisht në zona të luftës apo konfliktit në botë.

“Ato luftojnë fort për mbijetesë, për të mbrojtur të tjerët, familjet e tyre, luftojnë për shtetet e tyre dhe më e rëndësishmja luftojnë për liri, kështu që ne u kemi borxh atyre dhe çdo vajze, gruaje që ballafaqohet me gravitetin dhe shkatërrimin e një konflikti ose lufte për t’u siguruar se zërat i tyre po dëgjohen, guximi i tyre po shihet. Ne do t’u përkrahim në çdo hap të rrugës” – është shprehur Osmani.

Më tej, presidentja Osmani ka vlerësuar se agjenda që përmban ky Forum, është e suksesshme për aq sa është e tillë edhe fuqia e bashkëpunimeve të Kosovës me shtetet tjera.

Si rezultat i kësaj, Osmani është shprehur se Kosova qëndron “kampione” e agjendës së këtij Forumi.

“Më lejoni t’iu bëj të qartë – Kosova qëndron si një kampione e kësaj agjende sepse gjithpërfshirja dhe përqafësimi ishin pjesë e themelimit të të gjitha përpjekjeve tona që nga dita e parë, ky është falenderimi im ndaj partnerëve tanë… Ky Forum është forumi juaj, është arritja jonë e përbashkët, kështu që le të arrijmë maje tjera dhe të bëjmë arritje të mëtejshme së bashku” – ka theksuar Osmani.

Sipas presidentes së Kosovës, ky edicion i këtij Foruimi është i veçantë në shumë mënyra, pasi të pranishmit do të kenë mundësinë të dëgjojnë rrëfime nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Rreth përkushtimit të saj ndaj dëgjimit të këtyre rrëfimeve, Osmani ka konsideruar se lufta për drejtësinë e këtyre grave nuk është më vetëm një punë apo mandat politik.

“Kur ju t’i dëgjoni historitë e të mbijetuarëve, si shumë prej nesh i kanë dëgjuar, të luftosh për ta nuk është më vetëm një punë, nuk është vetëm puna e një Forumi, nuk është vetëm misioni i një mandati politik, bëhet një mision jete. Ne jemi mbledhur sot për ta dhe për të gjitha vajzat dhe gratë çdo kund në botë, të cilat kanë nevojë për zërin tonë, që të bëhet i tyre” – ka deklaruar Osmani.

Të pranishëm në këtë Forum janë edhe Presidentja e Sllovenisë – Natasha Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë – Bajram Begaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë dhe të tjerë pjesëmarrës.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.

Policia e Kosovës ka njoftuar më 14.04.2024, se nga 14 prill deri më 17 prill do të ketë bllokime të përkohshme apo riorientim në disa segmente rrugore në kryeqytet.

Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur më 23.03.2022, në moshën 84-vjeçare.

Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15.05.1937.

Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.

Madeleine Albright ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997.

Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte nderuar Madeleine Albraight me “Urdhrin e Lirisë“.