Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Policia njofton se do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 14 prill deri më 17 prill do të ketë bllokime të përkohshme apo riorientim në disa segmente rrugore në kryeqytet.

Kjo për shkak se në kuadër të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, do qëndrojnë personalitete të ndryshme të rëndësishme nga rajoni dhe bota.

“Policia e Kosovës, gjatë kësaj kohe do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së personaliteteve si dhe qëndrimit të tyre në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullim të lirë të delegacioneve sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojnë personalitetet/delegacionet e ftuara).

Andaj Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.