Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dejan Jevtiq, nga Suhareka dëshmitar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dejan Jevtiq është dëshmitari i 39-të i Prokurorisë, i cili po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Jevtiq është nga zona e Suharekës në Kosovë. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit, në korrik 1998, dëshmitari ka pretenduar se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur, disa prej të cilëve kishin uniforma të zeza dhe më pas ishte çuar në Budakovë.

Prokurori, Cezary Michahlczuk, ka prezantuar një përmbledhje të dëshmisë së Jevtiqit, ku thuhet se tre serbë janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, u janë lidhur sytë dhe duart. Më pas, ata janë rrahur me pushkë dhe zinxhirë, dhe janë futur në një bunker pas një shtëpie, ku janë marrë në pyetje.

Prokurori ka theksuar se të tre serbët janë keqtrajtuar dhe më pas janë liruar më 5 korrik 1998.

“Tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë W01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. W01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë liruar më 5 korrik 1998”- lexoi prokurori Cezary Michahlczuk.

Prokurori ka deklaruar se po ashtu bashkë me ta kanë qenë të burgosur edhe dy shqiptarë.

“W01763 është marrë në pyetje nga Policia në Muvlanë dhe i është thënë që ia kanë vrarë babanë. Të dy serbët e tjerë po ashtu ishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë W01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. W01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë lëshuar më 5 korrik 1998”- deklaroi prokurori Michahlczuk.

Në lidhje me rrëbimin, dëshmitari ka pohuar se askush prej tyre (serbëve) nuk ishte pjesë e policisë apo ushtrisë serbe.

Ndërkaq, dëshmitari Dejan Jevtiq ka bërë të ditur edhe emrat e dy shqiptarëve, Shukri Gashi dhe Sokol Kabashi, që sipas tij ishin arrestuar në korrik të vitit 1998.

“Në atë kohë Shukri Gashi jetonte në Muhlan, kurse Sokol Kabashi në Krushicën e Poshtme”- tha dëshmitari.

Dëshmitari ka deklaruar se ata e dinin se ne nuk ishim pjesë e ushtrisë apo policisë serbe. Megjithatë, nuk kanë mundur të largohen nga vendi ku ishin mbajtur, pasi që sipas tij, ia kishin lidhur duart dhe sytë, dhe aty ishin shumë ushtarë.

Deklaratat e dhëna nga dëshmitari gjatë intervistave të ZPS-së dhe seancave përgatitore, përfshirë edhe përkthimet, janë pranuar si prova materiale të rëndësishme në kuadër të këtij procesi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.