Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Shpend Ahmeti komenton dënimin e ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës

Kryetari i komunës së Prishinës, Shpend Ahmeti ka komentuar aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë për ish-inspektorët e komunës së Prishtinës për shpërdorim detyre.

Ahmeti ka thënë se dënimi i ish-inspektorëve dëshmon se ka ekzistuar rrejti i organizuar kriminal në ndërtimet pa leje në Prishtinë.

“Një pjesë e 80 dosjeve sot gjeti epilogun. Ish-inspektorët u dënuan me nga dy/tre vite burg që dëshmon se ka ekzistuar rrjet i organizuar kriminel që ka ndihmuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje në komunën tonë e që edhe sot ka pasoja të pariparueshme”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.

Por i pari i Prishtinës nuk e ka komentuar lartësinë e dënimit ndaj ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës.

“Nuk mund të flas për lartësinë e dënimeve duke respektuar ndarjen e pushteteve, ato le t’i vlerësoj qytetari”, ka shkruar Ahmeti.

Ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës u dënuan me burg e gjobë.

Ismet Haliti u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli u dënua me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Blerina Syla, Vehbi Avdullahu. Mërgim Shala e Blerim Ibishi u dënuan me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti e Drita Rukiqi me nga 1 vjet e gjashtë muaj. Granit Cenës e Ardian Muhadrit iu shqiptuan nga një vit burg.

Ismet Halitit e Skender Canollit iu konfiskua nga një veturë, ndërsa Mërgim Shalës një banesë.

KALLXO.com ka shkruar gjatë ditës së sotme për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ish-inspektorët.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-ish-inspektoret-e-prishtines/