Përparim Rama dhe Liburn Aliu, Foto: KALLXO.com, 22.04.2024

Ministria dhe Komuna e Prishtinës me marrëveshje në vlerë 1.5 milionë euro për katër projekte

Për katër projekte në vlerë prej 1.5 milionë është nënshkruar më 22.04.2024 një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Zgjerimi i rrugës “Bajram Bahtiri” në katër korsi; Kyçja e rrethit të Lakrishtës, duke e lidhur Unazën e qytetit me rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe rrethrrotullimin e Lakrishtës; Ndërlidhja e rrugës Kolovicë – Sofali dhe ndërtimi i urës në Veternik, që lidh lagjen e spitalit me Kalabrinë, duke kaluar përmes Veternikut, janë projektet të cilat u paralajmëruan se do të “shkarkojnë trafikun e kryeqytetit”.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se këto projekte lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve. Sipas Aliut, pret që këto projekte të realizohen shumë shpejt.

“Sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin Rama. Ishte kënaqësi që po fillojmë një cikël të marrëveshjeve me komunat dhe po fillojmë me Komunën e Prishtinës, për katër projekte në vlerë 1.5 milionë euro të cilat lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve, janë projekte që komuna i ka identifikuar dhe ka filluar; njëri është te hekurudha, të Kolovica, dhe të tjera që do të kenë një rëndësi të madhe për qytetin e Prishtinës.” – ka thënë Aliu.

Aliu tha se për projektin te ura e Veternikut, ministria ka ndarë 8 milionë euro.

“Kemi projekte edhe të tjera para vetes që na presin një ndër to ajo që kemi ura të Veterniku që i lidh lagjet, Lagjen e Spitalit me Lagjen Kalabria, e cila rrugë duhet të kalojë patjetër nën Veternik, dhe aty duhet të krijohet urë  e që i bie të jetë edhe në përgjegjësi të Ministrisë. Aty kemi bërë marrëveshjen ku Komuna e Prishtinë do të realizojë dizajnin e urës, në ndërkohë që ministria i ka ndarë 8 milionë euro, e që besojmë që shumë shpejt do të fillojmë atë pjesë e cila do të ndikojë shumë në shkarkimin e trafikut” – shtoi ministri Aliu.

Krahas kësaj, Përparim Rama përmendi edhe projektin e Unazës së Kryeqytetit, për të cilën tha se është jetik dhe kërkoi aprovimin nga Ministria e Financave.

Rama theksoi se si opsion është edhe financimi përmes një partnertiteti publiko-privat.

“Është kënaqësi me qenë këtu me ministrin Aliu, për një numër te projekteve të cilat kanë me pas efekt pozitiv për çlirimin e trafikut pasi kemi problem siç dihet me vite të tëra, por edhe me punët që po i bëjmë në qytet po shkojmë drejtë çlirimit të transportit dhe trafikut. Falënderoj ministrin Aliu për bashkëpunimin qe kemi pasur prej fillimit, urojë edhe për projektin e  Unazës së kryeqytetit, i cili është një projekt me rëndësi shumë të madhe, dhe në ditët në vazhdim ta kemi të gatshëm dhe ta bëjmë realitet, biseduam edhe për hartat zonale të bashkëpunojmë, te ndajmë idetë” – tha Rama.

Ndërlidhur me këtë projekt, ministri Aliu tha se projekti i Unazës së Kryeqytetit ka rëndësi “shumë të madhe, por që ka kosto jashtëzakonisht të lartë dhe sa i përket projektit, dizajnit të unazës, kanë qenë në diskutim të vazhdueshëm”.