Tenderi mbi 225 mijë euro për digjitalizim në Kryeqytet përfundon në Gjykatën e tenderëve

Tenderi për të cilën Komuna e Prishtinës kishte planifikuar digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. 

KALLXO.com ka raportuar më 11.04.2024 se për këtë tender ka pasur pretendime se pronarja e biznesit që kishte fituar kontratën është ‘shoqja e kryetarit Përparim Rama dhe përkrahëse e LDK’, gjë të cilën e kishte mohuar ajo. Fituesja e kontratës në vlerë 226,040.oo mijë euro është Schoolme Implemention & Consulting.

22.04.2024 është bërë publike njoftimi për pezullimin e aktivitetit të prokurimit pasi Komuna e Prishtinës ka pranuar ankesë të dorezuar në OSHP nga njëri nga operatori ekonomik që kishte marrë pjesë në këtë proces dhe ishte shpallur si e papërgjegjshme oferta e tyre. Për këtë tender kanë aplikuar gjithsej tetë operatorë ekonomik. 

Kolegji Ndërkombëtar Për Biznes Dhe Teknologji – UBT, ka ushtruar ankesë duke pretenduar se konsiderojnë se vendimi për të shpallur ofertën e tyre si të papërgjegjshme bazohet në një “interpretim të pasaktë të detyrimeve  sipas dokumentacionit të tenderit”.

Sipas tyre, ata kanë nënshkruar dhe vulosur aneksin në fjalë dhe kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të rishikojnë vendimin dhe të bëjnë rivlerësim të ofertës së UBT-së. 

“Sipas aneksit 1 të specifikimeve teknike të detyrueshme, të cilat ishin pjesë e dokumentacionit të tenderit, është kërkuar që ofertuesit të nënshkruajnë dhe vulosin këtë aneks si dëshmi e pajtimit dhe angazhimit për të plotësuar specifikimet teknike të detyrueshme” – thuhet në ankesë. 

“Ne besojmë se kemi përmbushur të gjitha kërkesat e specifikimeve teknike të detyrueshme dhe se ofertën tonë e karakterizon konkurrencë e lartë dhe përputhje me kritere. Për këto arsye, kërkojmë rishikimin e vendimit të Komunës së Prishtinës dhe rivlerësimin e ofertës së UBT-së në bazë të dokumenteve dhe provave të paraqitura. Ne jemi të gatshëm të paraqesim çdo informacion shtesë ose të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm për të sqaruar çdo paqartësi që mund të ketë kontribuar në këtë vendim” – thuhet më tej në ankesë. 

Ritenderi për digjitalizimi i proceseve edukativo- arsimore ritender është bërë më 10.01.2024, sipas e-prokurimit. Kriter i dhënies, ka qenë ‘çmimi më i ultë’. Lloji i procedurës së ndjekur është e hapur. Tenderi ka qenë i ndarë në lot 1 dhe lot 2.

Sipas dosjes së tenderit, për këtë kontratë kanë garuar, kompania e zgjedhur, Schoolme Implemention & Consulting, për lot 1 me vlerë 256,040.00 euro; një kohësisht me vlerën më të madhe; Kolegji UBT me Lot 1 me çmim 179,968.00 euro, Bambus lot 1 me çmim 193,880.00; N.Sh “Asixon” Lot 1 më 245,680.00 euro, Bezep Solutions Sh.p.k lot 1 me 204,832.00 euro; Rener Sh.p.k – lot 1 me 103,600.00 euro, PBC Sh.p.k Lot 1 me 118,400.00 euro dhe Arianit R. Bytyqi me 236,000.00 euro.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 335 mijë euro.

Pretendimet e opozitës, Komuna dhe Kompania i kundërpërgjigjen

Partia më e madhe opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje, më 11.04.2024, hodhi akuza drejt qeverisjes së Përparim Ramës lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore. 

Kjo parti reagoi më 23.04.2024 për vendimin për pezullimin e aktivitetit pas ankesës së operatorit ekonomik në OShP.

“Pas alarmit tonë për kontratën e dyshimtë dhe abuzive për “Digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore”, ku fitues u shpall oferta më e lartë dhe pronarja e kompanisë doli të jetë bashkëpunëtore e Kryetarit Përparim Rama e mbështetëse e madhe e Lumir Abdixhikut, dhe pas ankesave të operatorëve tjerë konkurues, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur PEZULLIMIN e këtij aktiviteti. U dëshmua edhe njëherë që kjo qeverisje në kryeqytet, me të gjitha format dhe në secilin rast, qëllim kryesor e ka pasurimin e bashkëpunëtorëve dhe miqve, gjithmonë në dëm të pasurisë publike të qytetarëve të Prishtinës” – thuhet në postimin e LVV-së.

Kjo parti përmes një konference për media më 11.04.2024 pretendoi se fituesja e tenderit është “shoqja e kryetarit Rama” dhe “përkrahëse e shefit të tij, Lumir Abdixhiku”, duke u bazuar në postimet e saj në rrjete sociale në kohë zgjedhjesh.

Por, Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë më 11.04.2024 se nuk diskutojnë rreth proceseve të prokurimit, dhe se çdo ankesë për këto procese “duhet të bëhet përmes rrugëve zyrtare”.

Komuna e Prishtinës ka thënë se ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës së qeverisjes Rama.

“Nuk mund të diskutojmë rreth proceseve të prokurimit, të cilat janë të rregulluara nga ligji dhe drejtuara nga profesionistët e certifikuar. Çdo ankesë për këto procese duhet të bëhet përmes rrugëve zyrtare. Ne nuk pranojmë të paraqitemi si autoriteti i vetëm vendimmarrës, ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës sonë. Ne vazhdojmë të angazhohemi në rrugën e digjitalizimit, të përqafimit të teknologjisë në të gjitha sferat ku kemi autoritet, për të ndërtuar një të ardhme të mirë, transparente dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë” – kanë thënë nga Komuna e Prishtinës më 11.04.2024.

Në përgjigje, Komuna ka pretenduar se digjitalizimi i procesit mësimor nuk është vetëm një çështje e Qeverisë qendrore apo Ministrisë së Arsimit. Kjo pasi një tjetër pretendim i asamblistëve të grupit të LVV-së ishte se digjitalizimi në këtë fushë është kompetencë e MASHT-it dhe jo i komunave.

Sipas Komunës së udhëhequr nga Rama i LDK-së, është koha të lehtësojnë barrën për fëmijët, “t’iu ofrojnë mjetet dhe metodat mësimore moderne dhe interaktive”, që sipas tyre, të gjitha të certifikuara nga Ministria e Arsimit.

“Avansimi i kushteve dhe sigurimi i mjeteve për realizim sa më efikas te kurikules janë specifikisht kompetencë e komunës. Digjitalizimi i këtyre mjeteve qe e bën më të lehtë realizimin e njësive mësimore në shkolla është obligim e synim i qeverisjes sime. Andaj, nuk ka asnjë ndeshje të kompetencave. Ne e shohim si një proces, ku synimi nuk është thjeshtë ceremonia e inaugurimeve, por përfitimi afatgjatë për brezat e ardhshëm. Rezultatet e këtij procesi do të mund të jenë në shërbim të nxënësve menjëherë, e ky është investimi ynë në të ardhmen” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Për tenderin mbi 255 mijë euro për digjitalizimin e shërbimeve edukativo-arsimore, Lëvizja Vetëvendosje më 11.04.2024 mbajti një konferencë për media duke thënë se kryetari Rama po e shpërndan paranë publike te “grupet e ngushta” dhe për “rrethin e tij”.

Nga kjo parti thanë se pronarja e kompanisë fituese, “Schoolme Implementation & Consulting” Sh.p.k., Iris Gjinovci është “shoqja e kryetarit Përparim Rama”, dhe “mbështetësja e shefit të Ramës, Lumir Abdixhiku”.

“Këtë radhë Komuna e Prishtinës shpërblen me kontratë OE- “Schoolme. Implementation & Consulting Sit P.K.-Loco 1. “me çmim prej 256,040.00€. Kjo kompani është në pronësi të Iris Gjinovcit dhe në regjistrin e bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022. Por, kjo kompani del të mos jetë duke performuar mirë. Kjo pasi që te lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së figuron edhe “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K” dhe ky informacion është publikuar me 27.09.2023” – ka thënë sekretari i LVV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, në konferencë për media më 11.04.2024.

Më 11.04.2024, KALLXO.com ka kontaktuar me Iris Gjinovcin, e cila mohoi se ka miqësi personale me kryetarin Rama duke thënë se ka vetëm “një njohje të thjeshtë”.

“Si fillim, mund t’ju them se nuk kam asnjë miqësi personale me kryetarin Rama, përveç një njohje të thjeshtë. E natyrisht që çështja e digjitalizimit të arsimit, ku biblioteka kurrikulare audiovizuale Schoolme për klasat 1-9 është prekursore, e pilotuar dhe e implementuar në Kosovë nga Masht dhe komuna e organizata të tjera që në 2016 ( me vlerësime maksimale nga shkollat përdoruese dhe Instituti pedagogjik i Kosoves) nuk ka filluar e nuk mbaron me kryetarin Rama” – ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se për këtë tender kanë aplikuar 8 ofertues, dhe oferta më e shtrenjtë ka fituar.

Ish-asamblisti i LVV-së, Egzon Azemi, ka ftuar organet e prokurorisë që “sa më parë të hetojnë këtë rast”.

Sa i përket çmimit më të lartë që ka fituar, Gjinovci ka dhënë versionin e saj se përse oferta e saj u zgjodh e përgjegjshme karshi ofertave të tjera që kishin ofertuar më lirë.

“Sa për kompanitë e tjera qe kane aplikuar me tender besoj ta keni vënë re se vendimi i përcakton si me ofertë të papërgjegjshme si per lotin 1 ku ne kemi aplikuar, ashtu dhe ne lotin 2 ku nuk kemi aplikuar. Arsyeja, siç është thënë dhe në vendim, është jo që nuk kanë disa specifika të produktit, por se thjesht nuk kanë fare produkt” – ka thënë Gjinovci.

Kryetari Përparim Rama më 05.02.2024 kishte shkarkuar nënkryetaren e Komunës dhe u.d. drejtoreshën e Arsimit, Donjetë Sahatçiu, me arsyetimin se ka pasur “vonesa dhe ngecje në procesin e digjitalizimit”.