VV: Nuk e Organizuam Protestën e Nxënësve

Lëvizja Vetëvendosje është kthyer me kundër akuza në drejtim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në lidhur me protestën e sotme të nxënësve që kërkojnë drejtësi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

MASHT e kishte konsideruar këtë protestë si shfrytëzim të nxënësve për çështje politike.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky institucion ka treguar padituri dhe pandjeshmëri nëpërmjet asaj komunikate.

“Kjo komunikatë e MASHT-it nuk tregon asgjë tjetër, vetëm se kjo ministri është një instrument i drejtuar nga njerëz të paditur, pjesë të një Qeverie pa asnjë element të drejtësisë dhe që pas rastit të vdekjes së dhunshme të Astritit po tregohen edhe pa ndjeshmëri”, thuhet në reagimin e VV-së.

Ata gjithashtu kanë mohuar pretendimet se kjo protestë ishte organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Pretendimi se Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë të nxënësve të Prishtinës është i pavërtetë. Lëvizja Vetëvendosje nuk është organizatore e kësaj proteste dhe rrjedhimisht nuk ka bërë kurrfarë paralajmërimi për të. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje sigurisht që mund të marrin pjesë në protestat me të cilat pajtohen dhe kjo është një prej tyre”, thuhet më tutje në reagim.

KALLXO.com ka raportuar për këtë protestë që sipas zyrtarëve të shkollave është organizuar pas përfundimit të orarit mësimor.

http://kallxo.com/nxenesit-pas-mesimit-protestojne-per-deharin/