Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Prokuroria e Prishtinës i drejtohet publikut lidhur me çështjen e gazetarit Lirim Mehmetaj
Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate të publikuar më datë 06.03.2024 ka bërë të ditur se ka përcjellë me vëmendje debatin e zhvilluar në opinionin publik lidhur me çështjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Prokuroria e Prishtinës po ashtu ka njoftuar se ka pranuar kallëzim penal privat kundër Lirim Mehmetajt nga pala e dëmtuar D. M.
“Njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të kallëzimit penal” – thuhet më tutje në komunikatë.
Komunikata gjithashtu qartëson se në rastin konkret do të vlerësohet nga Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinë, Zejnullah Gashi, nëse nga prokurorja e rastit për këtë çështje ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin.
“Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”- përfundon komunikata.
Më 05.03.2024 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shqetësuar për ftesën nga Prokuroria e Prishtinës kundrejt gazetarit të “Albanian Post”, Lirim Mehmetaj, si të pandehur për veprën penale – nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.
AGK ishte shprehur, përmes platformës sociale Facebook, se derisa është në pritje të informacioneve zyrtare, një thirrje të tillë e cilëson si alarm për një shoqëri demokratike.
Lirim Mehmetaj më date 05.03.2024 përmes një postimi në Facebook ka bashkangjitur ftesën si i pandehur nga Prokuroria e Prishtinës. Ai ishte shprehur se po akuzohej nga Vetëvendosje.
“Vetëvendosja kriminale po më akuzon për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” – kishte shkruar si kryetitull gazetari Lirim Mehmetaj.
“O të mjerë, o jugosllavë të pashërueshëm, ju mbase mendoni që e keni rikthyer ish-sistemin edhe i terrorizoni njerëzit me thirrje të tilla, po jo. Gabim e keni” – kishte shkruar ndër të tjera në postimin e tij në Facebook gazetari i “Albanian Post”.