Sela: Nuk dua ta besoj që Albin Kurti mund të ketë gisht në këtë që po i ndodh ASH-së

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Ziadin Sela, ka komentuar edhe mbështetjen e kryeministrit kosovar, Albin Kurti për opozitën shqiptare në zgjedhjet e muajit maj që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kur është takuar me Kurtin, i kishte thënë se Vetëvendosja nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoni të Veriut.

“E njejtë ishte edhe deklarata e tij kur ishte në Shkup në Samit, në të cilën është deklaruar. Pozicionin e Bekim Qokut ku tha se ka dëshirë të dalë si deputet unë s’mund t’i them jo. Unë nuk mendoj se ai merr pjesë në zgjedhje por edhe nëse merr unë i kam dalë borxhit Albin Kurtit, sa herë ka qenë e nevojshme. Kam qenë prezent në fushatat e tij, në zgjedhje parlamentare në Kosovë, dhe nuk du të besoj që Albin Kurti duhet të ketë gisht te kjo që po i ndodh Aleancës për Shqiptarët” – tha Sela.

Ai shtoi se ka shumë akterë politikë që sipas tij mundohen të shfrytëzojnë edhe Vetëvendosjen edhe imazhin e saj.

“Kam parë kryetarë partish që më shumë flasin për Vetëvendosjen se sa flasin për emrin e partisë së vet” – tha Sela.

VV-ja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe partitë opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 08.05.2024.

Më 08.05.2024 qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për të zgjedhur qeverinë e tyre, pas dorëheqjes së kryeministrit Dimitar Kovaçevski më 25.01.2024.

Deri atëherë, ky vend do të udhëhiqet nga Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, i cili është kryeministri i parë shqiptar që ka drejtuar .