Ilustrim

Kuvendi themelon Komisionin hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së librave

Pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Themelimi i këtij komisioni është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Të pranishëm gjatë votimit ishin 82 deputetë, ndërsa në votim kanë marrë pjesë 61 prej tyre.

“Nga 82 deputetë, 61 kanë votuar. Nga 61 vota, 57 e mbështeten komisionin hetimor parlamentar dhe katër ishin kundër. Kemi kuorum. Kuvendi e themelon Komisionin hetimor parlamentar”- konstatoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët e opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, akuzoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për “krim të organizuar” në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore

“Ky skenar është i organizuar. Ka erë të madhe të korrupsionit që shkon në krim të organizuar. Fillohet- kinse ofertat janë shtrenjtë, doli kompania tha e keni 4 për qind më lirë. Kur u bën 8 minuta para fillimit të vitit shkollor, dolët dhe improvizuat me një vendim që dëmtoi shkollën, fëmijët, nxënësit. Dhe, këto nuk ishin pasojat e vetme. E keni shkelur brutalisht Ligjin për ndarjet buxhetore”- ka thënë ai.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci tha se mezi pret themelimin e këtij komisioni, për të hetuar të gjitha keqpërdorimet që e kanë ndodhur ndër vite kur partitë e tjera kanë udhëhequr me Ministrinë e Arsimit.

“Ndonëse kërkesa e PDK-së për themelimin e këtij komisioni hetimor parlamentar është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe në pasaktësi, unë personalisht, gjitha kabineti im dhe gjithë kolegët në ministri, mezi presim themelimin e këtij komisioni dhe të flasim për këtë temë, sepse duhet hetuar të gjitha abuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite, në kohën kur PDK-ja udhëhiqte më Ministrinë e Arsimit. Por, jo vetëm PDK-ja”- ka thënë ajo.

Procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.