Pamje nga konferenca me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit – Foto: MAShT

Vlerësohet Lartë Kontributi i Mësimdhënësve në Shtetndërtim

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Nait Hasani dhe përfaqësues të SBASHK-ut vlerësuan lartë kontributin e mësimdhënësve në shtetndërtim.

Për nder të  Ditës Ndërkombëtare të Mësuesve, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), organizuan konferencën “Duke çmuar mësuesit, përmirësojmë statusin e tyre”.

Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi nevojën e përkujdesjes ndaj mësimdhënësve që, sipas tij, kanë rol shumëdimensional në shoqëri.

“Nuk ka dyshim që përkujdesja ndaj mësimdhënësve është përkujdesje ndaj familjeve, ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit, sepse nuk ka gjë më të shenjtë për një shtet se sa të investojë në sektorin e arsimit dhe te mësimdhënësit, të cilët kanë një rol shumëdimensional: të edukojnë rininë, të mundësojnë ndërtimin e personalitetit dhe të shënojnë përparime në sektorin e edukimit”, tha ministri.

Ndërkaq kryetari i Komisionit për Arsimi, Nait Hasani vlerësoi se ka vend për përmirësime dhe ngritje të cilësisë në fushën e arsimit.

”Ende kemi nevojë të punojmë të gjithë më shumë në ngritjen e cilësisë, sepse vetëm kështu mund të kemi një shtet më të zhvilluar”, tha deputeti Nait Hasani.

Kurse, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka përshëndetur të gjithë mësimdhënësit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit dhe ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit që edhe në vitet më të vështira dhanë gjithçka që mundën për mbajtjen gjallë të arsimit shqip.

KALLXO.com ka raportuar për pakënaqësitë e mësimdhënësve të shprehura përmes SBAShK-ut që i drejtohen Ministrisë së Arsimit.

http://kallxo.com/sbashk-15-mije-mesimdhenes-kunder-testit-te-performances/