Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

Ministrja Nagavci: Pretendimet për ngacmime seksuale në UP paraqesin shqetësim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas hulumtimit të Kallxo Përnime me rrëfimet e studenteve për ngacmimet seksuale që pretendojnë se i kanë pranuar nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi.

Më 07.04.2024, Kallxo Përnime transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjeksisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Nagavci thotë se rastet e pretenduara me të drejtë paraqesin shqetësim, po aq sa edhe sipas saj janë dëshmi se në UP janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim dhe që secili pjesëtar i stafit akademik “të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës”.

“Rastet e pretenduara, me të drejtë paraqesin shqetësim, po aq sa edhe janë dëshmi se në Universitetin e Prishtinës tashmë janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim ashtu si dhe kërkesat e domosdoshme që secili pjesëtar i stafit akademik dhe punonjës të tjerë të UP-së, të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë”- ka shkruar Nagavci.

Ministrja thotë se pret nga Këshilli i Etikës, si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ.

“Po ashtu, pres nga UP dhe të gjitha institucionet arsimore, që të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve”- ka shtuar ajo.

Teuta, Shpresa dhe Era janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrefyen për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në Universitetin e Prishtinës . 

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnimë me 7.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave gjatë një viti në 2022 dhe 2023. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dalin publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsutime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pasi denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.042024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Në emisionin KallxoPërnime, Xharra tregon se çka thuhej në deklarimin 45-minutësh të Krasniqit para Këshillit.

“Nga ajo se çka u dëgjua në atë mbledhje, Këshilli i Etikës as nuk e quante ngacmim seksual, por vetëm ngacmim dhe se shumë pak u morën me fjalët që i kanë shkruar 27 studentet që e denoncuan Krasniqin.”

Sipas Xharrës, e cila e ka dëgjuar deklarimin e tij, profesori nuk është pyetur për çështjen e masazhit dhe se shumica e kohës ishte koncentuar në mënyrën se si Krasniqi e bën vlerësimin.

Megjithatë, ai e ka pranuar se e mundëson komunikimin me telefon dhe është pyetur në lidhje me organizimin e provimeve porse nuk është pyetur se përse e mbanë derën mbyllur kur i mbanë konsultimet.

Në fjalën përfundimtare, ai ka kontestuar 27 nënshkrimet e studenteve, duke thënë se në atë listë ka studente prej viteve tjera. Kryesisht, vija e mbrojtjes së tij ishte se për shkak që është i vështirë në vlerësim, ai shantazhohet nga studentët.

Lidhur me pretendimet e disa studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, Fakulteti i Mjekësisë thotë se fillimisht është informuar gojarisht. Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, ku i mëson gjeneratat e ardhshme të mësuesvëve në Kosovë. Krasniqin e kanë përjashtuar nga Fakulteti i Mjekësisë dhe tash farmacistave të ardhshëm i jep mësim një profesor tjetër i matematikës.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.

Rrëfimi i studenteve të UP-së për profesorin e denoncuar për ngacmime seksuale