Arbërie Nagavci duke iu shmangur pyetjeve të ekipit të KALLXO.com, më 27.03.2024

Nagavci nuk përgjigjet për udhëzimin e shfuqizuar qe dy vite, i cili gjobitë prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë

Udhëzimi administrativ – Masat ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve nuk janë regjistruar apo nuk vijojnë mësimin e obliguar, me vendim të Qeverisë së Kosovës është shfuqizuar nga data 23.12.2021.

Sipas këtij udhëzimi i cili daton nga 23.03.2005, në qoftë se një nxënës nuk është i regjistruar apo mungon në procesin e arsimit të detyruar, prindi i tij detyrohet të paguaj gjobë, po që se mungesa apo mosvijimi vjen si rezultat i veprimeve të qëllimshme apo nga neglizhenca e prindit.

Institucioni i Avokatit të Popullit në një përgjigje për KALLXO.com më 21.03.2024, ka thënë se vendimi i shfuqizimit të këtij udhëzimi, e obligon ministrinë përkatëse që të nxjerr udhëzim të ri brenda një afati prej më së largu 12 muajsh.

Ekipi i KALLXO.com e ka pyetur ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci se përse nuk është nxjerrur deri më sot një udhëzim i ri administrativ për këtë çështje, por ajo ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim.

“Të lutem i dërgoni me shkrim të gjitha edhe çfarëdo pyetje që keni ju përgjigjemi brenda ditës” – ka deklaruar Nagavci, më 27.03.2024.

KALLXO.com teksa ka insistuar të marrë përgjigje nga Nagavci për këtë rast, ajo është përgjigjur duke thënë “E di (që jam ministre). Kam përgjigje unë…”.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës e shohin sfiduese informimin e prindërve rreth ligjeve dhe udhëzimeve, pasi thonë se shumica e prindërve nuk janë të informuar se ekzistojnë ato.

Kurse, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë tha se në mungesë të këtij udhëzimi administrativ, në rastet e tilla shfrytëzojnë Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe rregulloret e shkollës konform rregulloreve të përcaktuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, në nenin 15, paragrafi e parë thuhet se “vijimi i shkollimit të detyruar nga ana e nxënësit është një përgjegjësi kryesore e prindit”.

Kurse, në paragrafin e dytë të këtij neni, është specifikuar se prindi i fëmijës i cili është i moshës së mësimit të obliguar, bën shkelje të ligjit nëse “pa shkak të arsyeshëm, si është sëmundja apo ndonjë shkak tjetër i pashmangshëm, nuk i siguron fëmijës vijim të rregullt në institucionin arsimor në kohën e përcaktuar nga këshilli drejtues për fillimin e mësimit”.

Visar Islami, nënkryetar në Këshillin e Prindërve të Kosovës në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se janë në dijeni për shfuqizimin e këtij udhëzimi, por sipas tij, Ministria e Arsimit është duke punuar në disa udhëzime tjera.

Duke iu referuar Ligjit për Arsmin Parauniversitar dhe Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, Islami mendon se me anë të këtyre ligjeve në fuqi institucionet mund të marrin masa ndaj prindërve që nuk i lejojnë fëmijët e tyre të vijojnë shkollimin.

“Ky udhëzim me u kthy në fuqi nashta i duhet Ministrisë një ditë, dy, me humb kohë me këtë udhëzim edhe munden me kthy në fuqi prap. Megjithatë ata kanë vendos që si paketë m’i kthy edhe disa ligje tjera” – ka thënë Islami.

Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, sipas nenit 37, paragrafi i parë, ndalohet privimi i fëmijës nga e drejta për edukim dhe arsimim.

Kurse, në paragrafin katër të këtij neni thuhet se “Prindi ose kujdestari merr masa të përshtatshme që fëmija të ndjekë arsimin e detyrueshëm ose nivele të tjera të arsimimit, sipas dëshirës së fëmijës, si dhe të garantojë frekuentimin e rregullt të tij dhe pa pengesa”.

“Në rastet kur identifikohen fëmijë që nuk vijojnë arsimin e detyrueshëm, për shkak të mos regjistrimit në zyrat e gjendjes civile ose arsye tё tjera, zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës në kuadër të drejtorisë përkatëse në komunë ndërmerr masa të menjëhershme për regjistrimin e fëmijës në shkollë, sipas legjislacionit në fuqi” – shkruan në paragrafin 6, të nenit 37.

Islami ka ndarë një rast, në të cilin thotë se një nxënëse e komuniteteve jomshumicë në Kosovë nuk ka vijuar mësimin e obliguar dhe si Këshill i Prindërve të Kosovës i kanë kërkuar prindit të saj që vajza të vazhdojë shkollimin.

“E di që një rast e ka ndërpre vajzën nga mësimi edhe kemi shku, jemi taku me prindin. Kemi bo kërkesë që ai me kthy fëmijën në shkollë. Megjithatë ai m’u ka përgjegj decidivisht kështu – Nëse vajza jem është martu në moshën 14-vjeçare edhe unë shkoj e marr te burri edhe e bi në shkollë se jam i obligum me pru a e gjeni zgjidhjen ju me marr tani vajzën prap” – ka treguar Islami.

Sipas Islamit, nga informacionet që kanë si Këshill i Prindërve të Kosovës, shumica e prindërve nuk janë në dijeni për ekzistimin e ligjeve dhe udhëzimeve që mund t’i ndëshkojnë ata në raste të tilla.

“Këtu është fatkeqësia ma e madhe, informimi është puna ma e madhe ose ma e paktë që e kanë prindërit që duhet me u punu ma shumë. Shumica s’po them qind për qind, po rreth 70-80% nuk i dinë as udhëzimet, as ligjet se s’i lexojnë. Kjo na ndodhë veç kur kanë problem, dalin në pah ligjet edhe udhëzimet, përderisa s’kanë problem, kurrë asnjëherë, asnjë prind nuk është i informuar që ka udhëzim edhe ka ligj për këtë çështje” – ka theksuar Islami.

Mimoza Krasniqi, drejtoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë thotë se në mungesë të udhëzimit administrativ në rastet e braktisjes apo movijimit të mësimit të obliguar

funksionojnë në bazë të rregulloreve të brendshme të shkollës.

“Mungesat te fëmijët, të cilët bëjnë më shumë se dy javë atëherë na i thërrasim prindërit edhe i pyesim arsyen. Edhe ju tregojmë prindërve se na jemi të obliguar me raportu rastin në Ministri, te Qendra për Punë Sociale në rast se ju nuk e sjellni fëmijën me viju shkollimin e rregullt edhe të obliguar, atëherë për këtë rast ka me u marr Ministria, Qendra për Punë Sociale që ju keni m’i tregu arsyet se pse ai fëmijë nuk e vijon shkollimin” – ka shtuar ajo.

Edhe sipas nenit 15, në paragrafin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar thuhet se “Kur drejtori i institucionit arsimor dhe aftësues e sheh të arsyeshme dhe në interesin më të mirë të nxënësit, pas marrjes së kërkesës me shkrim nga prindërit e nxënësit, mund ta lirojë nxënësin nga vijimi i mësimit deri në (2) dy javë gjatë vitit shkollor”.

Ndonëse nuk kanë pasur raste të mosvijimit të mësimit nga fëmijët në shkollën e tyre, Krasniqi e sheh të nevojshëm një udhëzim të ri administrativ për trajtimin e këtyre rasteve.

“Po, normal që është i nevojshëm m’u nxjerr se ma lehtë ish kanë na me u përmbajt rreth atij udhëzimi, po normal që funksionon edhe rregulloret e brendshme të shkollës” – është shprehur Krasniqi.

Këtë vit, KALLXO.com ka raportuar për dy raste në dy qytete të Kosovës, ku dy nxënës të cilët janë në mësim të obliguar nuk janë duke vijuar mësimin.

Më 07.03.2024 KALLXO.com ka raportuar për një rast në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” në Obiliq, ku një nxënës nuk vijoi mësimin nga data 14.02.2024, pasi prindi i tij pretendonte se një mësimdhënës kishte ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tij. 

Pas interesimit të drejtorisë së shkollës dhe zyrtarëve të Mirëqenies Sociale, ky fëmijë është kthyer në shkollë më 25.03.2024.

Ndërsa, më 27.03.2024 KALLXO.com ka raportuar se dy nxënës të shkollës “17 Shkurti” në Gllogovc të Lipjanit nuk janë duke i vijuar mësimet pasi kanë numër të madh të mungesave dhe kanë mbetur pa u notuar në gjysmëvjetorin e parë. 

Atyre u është mundësuar nga drejtoria e shkollës që notimin ta marrin në fund të vitit përmes provimeve. Kur u kontaktua nga KALLXO.com, babai i njërit prej nxënësve, tha se ‘nuk ka kohë’ të diskutojë për këtë çështje.

Edhe pse ministrja Nagavci kërkoi që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, KALLXO.com i ka dërguar ato më 27.03.2024, por nuk ka pranuar përgjigje deri më tani.