Foto: Arbërie Nagavci/Facebook

Ministrja Nagavci takoi homologen shqiptare, diskutuan për aktivitetet e Vitit të Gjuhës Shqipe

Ministrja e Arsimit. Arbërie Nagavci, është takuar me homologen e saj të Shqipërisë, Orgeta Manastirliu, më 22.03.2024.

Sipas ministres Nagavci, qëllimi i këtij takimi ishte bisedimi për vijimin e bashkëpunimit me intensitet të shtuar.

Dy të parat e arsimit në Kosovë e Shqipëri kanë diskutuar për aktivitetet e përbashkëta për gjuhën shqipe në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe.

Ministrja Manastirliu më 24.01.2024, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit kishte shpallur vitin 2024 si ‘Viti i Gjuhës Shqipe’ në Shqipëri, ku do të mbahen aktivitete që promovojnë gjuhën shqipe.

“Diskutuam për aktivitetet e përbashkëta për Gjuhën Shqipe, kalendarin e përbashkët të punës në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si dhe shumë projekte tjera për përmirësimin e rezultateve të nxënësve tanë dhe avancimin e performancës në arsim në dy vendet tona” – ka shkruar ministrja Nagavci, në profilin e saj në Facebook.

Në deklarimin e saj për shpalljen e Vitit të Gjuhës Shqipe, Manastirliu kishte thënë se do t’i përmbyllin punët e nisura me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, në vitin 2024, në mesin e të cilave kishte përmendur projektin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

“Përmbyllim këtë vit punën e nisur për tekstin e përbashkët për Gjuhën dhe Kulturën Shqipe së bashku me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, për nivelin e dytë dhe të tretë për diasporën, si dhe do të kurorëzojmë punën e përbashkët me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” – kishte deklaruar Manastirliu, më 24.01.2024.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një projekt mbarëkombëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i financuar nga Qeveria shqiptare, i cili filloi në vitin 2021 dhe do të përfundojë në vitin 2024.

Akademia e Shkencave të Kosovës (ASHAK) nuk është përfshirë në këtë projekt, megjithëse ishte folur si projekt i përbashkët i të dy akademive.

Në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 02.03.2024 është diskutuar për sfidat e gjuhës shqipe dhe temë e debatit ka qenë edhe mospjesëmarrja e ASHAK në projektin e Fjalorit.

Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik kishte thënë se nga ASHAK nuk janë angazhuar në anën praktike, ndërsa profesorë nga UP-ja, disa punonjës të Institutit, jo të gjithë të Degës së Gjuhësisë janë angazhuar në pjesën e leksikut, pjesën e hulumtimeve në terren.

Bardh Rugova nga ASHAK e kishte mohuar përfshirjen e tyre në këtë projekt.

“Ne e kemi marrë, ka ardhë si projekt, e kemi pranuar, si projekt nuk i përmbush as përafërsisht konceptualisht në kuptimin e dijes nevojat për një fjalor të kësaj natyre dhe ne si Departament kemi thënë që nuk do të përfshihemi” – kishte thënë Rugova më 02.03.2024.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë më 05.12.2023 kishte njoftuar se Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe do të përfshijë mbi 110 mijë fjalë, 11,500 njësi frazeologjike në fund të çdo gjymtyre vatërkuptimore, me shpjegimet dhe referimet përkatëse, si dhe togfjalëshat e qëndrueshëm jofrazeologjikë kryesisht nga botanika dhe biologjia, për të cilën jepet dhe termi latinisht.

Po ashtu, Manastirliu kishte njoftuar se më 22.11.2024 do të shënohet Dita e Alfabetit Shqip, e cila do të jetë për herë të parë festë zyrtare në Shqipëri.

Manifestimi Ditët e Alfabetit shënohet për të kujtuar vendimet e Kongresit të Manastirit më 1908, kur u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir. Në kongres morën pjesë 50 delegatë nga qytete, klube e shoqata që mblidhnin shqiptarë nga vende të ndryshme të botës.

Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime. Po ashtu Kongresi lejoi përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, si alfabetin e sotëm që u propozua nga Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës.

Brenda pak vitesh, për shkak edhe të lehtësirave në përdorim alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” fitoi përdorim të gjerë duke u bërë alfabeti i vetëm i shqipes.

Dita e Alfabetit Shqip, 22 nëntori, është festë zyrtare edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.