Nuredin Lushtaku

Vetëvendosje kërkon nga Prokuroria të marrë masa ndaj Nuredin Lushtakut

Lëvizja Vetëvendosja ka dënuar sjelljen e nënkryetarit së Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, ndaj asamblistes së VV-së, Vjollca Ramadani.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje ‘sjelljet në stilin e gangsterit’ nuk janë hera e parë e nënkryetarit Lushtaku.

“Sot asamblistja e Lëvizjes u përballë edhe me kërcënimet dhe fyerjet e nënkryetarit të Komunës që vjen nga PDK, Nuredin Lushtaku të cilat i keni parë përmes videoinçizimeve. Të njëjtat kërcënime Lushtaku i ka përdorur edhe në mbledhje të komitetit duke u munduar të mbyll zërin e opozitës dhe duke tentuar të mohoj çdo mendim kritik përbrenda komunës në stilin e një gangsteri”, thuhet në komunikatë.

Tutje LVV i ka bërë thirrje Komunës së Skenderajt si dhe Prokurorisë që të reagojnë për këtë rast ku asamblistëve i cenohet e drejta për të shprehur mendimin e tyre.

“Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të mos mbyllë sytë kur kërcënohen të zgjedhurit nga qytetarët. Po ashtu i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit, por edhe drejtueses së Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, që të lejojnë asambleistët të shprehin mendimin e tyre, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë llogari nga ekzekutivi i komunës dhe sjelljet e kërcënimet e tilla të përjashtohen nga Kuvendi Komunal”, theksohet në reagim.

Po ashtu në këtë komunikatë, Lëvizja Vetëvendosje zotohet se gjithmonë do të jenë kritikues ndaj qeverisjes dhe ndaj institucioneve publike.

“Lëvizja Vetëvendosje i bënë të ditur z. Lushtaku dhe çdokujt të sojit të tij se asnjëherë nuk ka rreshtur dhe nuk do të ndalet së bëri opozitë dhe së kritikuari çdo qeverisje e zyrtar drejtues të institucioneve publike. Gangsterët në hall me klanet e tyre, prej nga po del çdo ditë nga një aferë skandaloze, nuk mund të kërcënojnë përfaqësuesit e votuar nga qytetarët”, thuhet aty.

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Skenderaj ka nxjerrë një video incizim nga mbledhja e Kuvendit Komunal të Skenderajt, ku pretendojnë se asamblistët e kësaj partie, Vjollca Ramadani dhe Hysni Mehani janë kërcënuar nga nënkryetari i Komunës, Nuredin Lushtaku.