Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë | Foto: KALLXO.com

Veseli: Gjendja nuk është e Kënaqshme

Pasi Kryesia e Kuvendit vendosi që mocioni i mosbesimit të qeverisë të shqyrtohet në Kuvend të mërkurën, kryetari i legjislativit \kadri Veseli tha se ka pakënaqësi nga gjendja e krijuar në vend.

“Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë, nuk është e kënaqshme, as unë nuk jam i kënaqun, as qytetarët nuk janë”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së më tutje tha se ka pakënaqësi në lidhje me mungesën e vendimmarrjes.

Megjithatë Veseli deklaroi se “nuk është opozita ajo që mund t’i japë fund këtij koalicioni”.

Veseli tha se janë duke u zhvilluar komunikime intensive me partnerin e koalicionit, duke siguruar se do të ruhet stabiliteti i vendit.

Komunikime të tilla përmendi edhe nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçia, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Nënshkrimet e tyre për seancën e opozitës rreth mocionit të mosbesimit i dhanë edhe katër deputetë të PDK-së.

KALLXO.com shkroi sot se me këto nënshkrime është shkelur njëra nga pikat e koalicionit në të cilën thuhej se nuk do të mbështeteshin mocione nga palët jashtë tij.