Tahiri i AAK-së fton deputetët e LVV-së që ta mbështesin mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, është deklaruar lidhur me mundësinë që vendi të shkoj në zgjedhje pas ofertës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua bëri partive opozitare më 21.03.2024.

Sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta votojnë mocionin e iniciuar kohë më parë nga AAK-ja për shkarkimin e Kurtit.

Ai ka thënë se në këtë proces janë të mirëseardhura edhe votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në qoftë se ka parti që e ka ballafaquar këtë qeveri dhe ka përgatitur mocion ajo është Aleanca. Qe 1 vit e gjysmë e kemi thënë se kjo qeveri duhet të largohet … Masi u dorezu ky zotëria [Kurti], duhet me u votu mocioni jonë. Normal që kërkojmë nënshkrimet e deputetëve. Edhe LVV-ja duhet ta votojnë mocionin tonë të shkarkimit”- është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se Kurti u dorëzua pikërisht në trevjetorin e qeverisjes së tij.

Në një konferencë për media, ai bëri të ditur se është përgatitur edhe kërkesa për debat parlamentar lidhur me 3 vjetorin e Qeverisë Kurti.

Kjo qeveri, sipas tij, nuk i ka qëndruar prapa asnjë vendimi që e ka marrë.

“Jam i kënaqur që kryeministrii Kosovës e ka kuptuar që duhet të dorëhiqet dhe më në fund e tha edhe vet. U dorëzua prandaj vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Në fillim të këtij mandati Haradinaj thoshte keni kujdes se ky është mashtrues e njerëzit shikonin me huti të madhe. Kjo qeveri nuk i ndejti prapa asnjë vendimi të vet. Kurti u dorëzua në 3 vjetorin e tij e mandatit të tij duke kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje”- ka thënë Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nëse opozita do që të shkojë në zgjedhje, do e ndihmojë në këtë drejtim.

“Opozita duhet ta thotë fjalën e tyre, unë nuk mund të shkoj në zgjedhje pa opozitën. Për shpërndarje të Kuvendit duhen dy të tretat siç dihet dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje. Numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja” – tha Kurti.

Pas ofertës që kryeministri ua bëri partive opozitare, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi ftoi Kurtin të shkojnë në zgjedhje, duke i thënë se prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin” – u shpreh Krasniqi.

Më 22.03.2024 bëhen tri vjet nga konstituimi i legjislaturës së tetë të Kuvendit.