Hashim Thaçi| Foto: KALLXO.com

Thaçi: Takimi i ri në Bruksel - të dielën

Presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Me anë të një njoftimi, zyra për media e presidentit kanë thënë se Thaçi është takuar sot me ambasadorin amerikan Delawie, atë britanik O’Connell, ambasadorin francez Chabert, atë italian Sardi, zëvendësambasadorin gjerman Voss dhe shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

Sipas njoftimit, Thaçi ka njoftuar ambasadorët se e ka pranuar ftesën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, të dielën më 24 qershor.

“Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit rikonfirmuan përkrahjen e tyre për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit Thaçi ka thënë se “Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve”, duke theksuar nevojën e një përfshirjeje sa më të gjerë të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.