Asambleja e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Tensione në Asamblenë e Prizrenit, përplasen asamblisti i PDK-së me atë të LDK-së

Një përplasje me fjalë me tone të larta ka ndodhur sot në Asamblenë Komunale të Prizrenit.

Për të qetësuar situatën e krijuar nga përplasja mes asamblistit të PDK-së, Bardh Avdaj dhe atij të LDK-së, Xhavit Ukaj, është dashur ndërhyrja e kolegëve të tjerë dhe e kryesuesit të Asamblesë, Artan Abrashi.

Fillimisht ishte asamblisti i LDK-së, Petrit Hoxhaj, i cili tha që kohëve të fundit inspektorët komunalë po akuzohen për keqpërdorime të pozitës zyrtare, pikërisht për kohën sa ka qeverisur PDK-ja.

“Aktakuzat janë duke u ngritur ndaj inspektorëve të qeverisjes së kaluar. Këto kanë të bëjnë me keqqeverisjen e kaluar. Është mirë që ju të PDK-së me u marrë me aktakuzat e elektorateve të juaja dhe jo të merreni me qeverisjen dhe koalicionin e LDK –së”, tha Hoxhaj.

Menjëherë pas kësaj asamblisti Bardh Avdaj kërkoi fjalën.

“Nuk mundeni me i akuzu njerëzit e PDK-së për keqpërdorime. E kur përmenden keqpërdorimet këqyrni këta të e LDK-së”, filloi Avdaj.

Por menjëherë atë e ndërpreu asamblisti Xhavit Ukaj. “Ngo çka po të them: nëse ke diçka – qe drejtoju drejtorëve ankesa a çka ke. Me ne të LDK-së s’ki çka merresh, as mos na përmend hiç LDK-në, a u ba?”, tha Ukaj.

“Mos e ngrit zanin se nuk dimë na mu friku! Ti mua nuk ke nevojë me ma ngrit zanin! Rri pak se unë po foli! Mua personal s’ki me ma ngrit zanin! A u ba? Se nuk frikohem as Bardh Avdaj as PDK-ja”, iu drejtua Bardh Avdaj asamblistit të LDK-së.

E kur Avdaj i tha Ukajt se “kur të foli personale për ty atëherë mundesh me folë”,  Xhavit Ukaj iu drejtua: “More ti personale  as s’guxon me fol për mua, personale asnjë fjalë s’guxon me fol, jo ti po askush!”.

Kështu vazhdoi me tone të ashpra diskutimi mes dy asamblistëve.

Në korrik të vitit 2018, asamblisti Bardh Avdaj ishte bërë protagonist kur kishte gjuajtur me shishe uji kryesuesin Artan Abrashin.

https://kallxo.com/asamblist-i-pdk-e-gjuan-me-shishe-kryesuesin-e-kuvendit-te-prizrenit/

PDK-ja ishte distancuar nga ky veprim i asamblistit Avdaj. Shefi i grupit të PDK-së, Simir Krasniqi për KALLXO.com kishte thënë se veprimi i Bardh Avdajt ka qenë individual dhe ai ka vepruar nën afekt.

https://kallxo.com/pdk-distancohet-nga-veprimet-e-asamblistit-bardh-avdaj-ky-i-fundit-kerkon-falje-per-veprimin-e-tij/

KALLXO.com ka raportuar edhe në të kaluarën për përplasjet që po ndodhin në mbledhje të Asamblesë Komunale të Prizrenit.

https://kallxo.com/perplasje-ne-asamble-per-qengjat-dhe-qebapet-e-ngrene-nga-qeverisjet-e-prizrenit/

Kur po diskutohej për rishqyrtimin e raportit financiar për realizimin e buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2018, asamblisti nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, kishte kritikuar qeverisjen e Mytaher Haskukës se, sipas tij, nuk po i planifikon mirë shpenzimet e Komunës dhe nuk po i realizon projektet e premtuara.

“Për që dini me hangër kaq shumë nuk e kemi ditur, e prej se ia keni nisë me hangër mish kingji ju kanë ba dreka zyrtare 38 mijë euro”, kishte deklaruar Baldedaj.

Ndaj kësaj deklarate kishte reaguar atëherë asamblisti Haziz Hodaj, nga radhët e LDK-së, parti që është në pushtet bashkë me Vetëvendosjen dhe Nismën Socialdemokrate.

“Ju i keni hangër 90 mijë për 1 vit”, kishte deklaruar Hodaj, duke aluduar në shpenzimet e qeverisjes së kaluar, ku Iliri Baldedaj ka qenë drejtor.

Për shpenzimet për dreka e darka nga qeverisja e Mytaher Haskukës ka raportuar edhe KALLXO.com.

Sa mish hëngrën gjatë një nate Komunarët e Prizrenit

Pas publikimit të këtyre shpenzimeve, ka reaguar Komuna e Prizrenit.