Avdullah Hoti - LDK

Hoti: Ne i nënshtrohemi të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti ka konfirmuar se LDK-ja e ka një kandidat për deputet që ka probleme me ligjin dhe do të zëvendësohet me dikë tjetër në listën për zgjedhjet e 14 shkurtit.

KALLXO.com dje ka raportuar se kandidati për deputet i LDK-së, Xhavit Ukaj është njëri nga 47 kandidatët që nuk ka kaluar certifikimin për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo pasi që i njëjti është dënuar për kanosje të një prokurori në vitin 2018. KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren ku përshkruhet në detaje veprimet e Ukajt karshi prokurorit për të cilin edhe është dënuar për veprën penale kanosje.

Ndërsa, Hoti sot ka theksuar se iu nënshtrohen të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë.

“Ne ju nënshtrohemi të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë. Besoj që të gjithë duhet të trajtohen njësoj pavarësisht pozitës që kanë, pavarësisht statutit që kanë. E kemi pasur një kandidat dhe do të bëjmë zëvendësimin e nevojshëm”, tha Hoti sot kur u pyet nga KALLXO.com lidhur me këtë çështje, pas homazheve që ai pati te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes së tij.