Sulmi ndaj Vjosa Osmanit: LDK nuk merr masa, pret ta zgjidhë miqësisht rastin

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, tha se incidentin mes deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do ta trajtojnë vetëm brenda LDK-së.

“Këtë çështje do ta trajtojmë vetëm brenda LDK-së. Mbetet në diskrecionin tonë dhe do e trajtojmë vetëm Brenda LDK-së. Nëse ka nevojë për ndonjë njoftim më të gjerë do t’ju njoftojmë”, tha Quni.

Quni tha për KALLXO.com se këto çështje rregullohen vetëm në nivele miqësore.

“Unë jam shumë i interesuar me rregullu këtë çështje në nivele miqësore”, përfundoi Quni.

Incidenti mes deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte ndodhur me 10 korrik ku edhe ishte ndërprerë seanca nga Osmani pas vërsuljes së deputetit Ukaj në drejtim të saj.

Deputeti Ukaj në një bisedë telefonike me KALLXO.com kishte thënë se nuk e ka ofenduar dhe kërcënuar kryetaren e Kuvendit dhe bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmani.

Ukaj kishte thënë se u afrua te Osmani për tu konsultuar se pse ia bëri me gisht.

“Ju e keni parë në televizor, dhe kurrgjë kurrkujt, janë kamerat incizimet. Unë as nuk e kam ofenduar as nuk e kam kërcënuar asgjë. Un ë e mohoj edhe mos me mohu unë janë kamerat aty. Janë inçizimet, qyshdo që them unë janë inçizimet”, ka thënë Ukaj.

Ndërsa kryeparlamentarja Osmani kishte njoftuar përmes facebook-ut se rastin e ka derguar në polici.

Me 13 korrik, KALLXO.com ka shkruar se Policia e Kosovës e ka intervsituar deputetin Ukaj.

Ndryshe, Quni, i pyetur se a ka filluar LDK-ja që të merret me këtë temë, kërkoi që mos të insistohet më shumë për përgjigjje duke thënë se kjo çështje rregullohet në nivele miqësore.