Foto: Xhavit Ukaj/Facebook

Kandidati i LDK-së me dënim për kanosje, nuk e kalon certifikimin e KQZ-së

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj është njëri nga 47 kandidatët që nuk ka kaluar certifikimin për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo pasi që i njëjti është dënuar për kanosje të një prokurori në vitin 2018.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren ku përshkruhet në detaje veprimet e Ukajt karshi prokurorit për të cilin edhe është dënuar për veprën penale kanosje.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj i kontaktuar nga KALLXO.com, ka konfirmuar se vendimi ndaj Ukajt është bërë i plotfuqishëm vitin e kaluar.

“Mund të ju konfirmoj se me 24.12.2020 është bërë i plotfuqishëm aktgjykimi ndaj të njëjtit”, tha Lekaj për KALLXO.com.

Në vendimin e Gjykatës në Prizren të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se më 2 mars të vitit 2018, Ukaj kishte kërcënuar një prokuror të Prizrenit, i cili po merren me një procedurë hetimore ndaj djalit të Ukajt.

Ukaj kishte kërkuar nga prokurori që t’ia lironte djalin nga paraburgimi dhe kishte kanosur me disa fjalë prokurorin me ç’rast i kishte shkaktuar ankth dhe frikë.

KALLXO.com ka kontaktuar me vet Ukajn në lidhje me këtë çështje.

Ai ka pranuar se për shkak të dënimit është tërhequr nga lista gjatë ditës së sotme dhe në vend të tij është vendosur djali i tij.

Për kërcënim, Ukajn e kishte lajmëruar në polici edhe ish-partiakja e tij Vjosa Osmani.

 

Vjosa Osmani e çon në polici deputetin Xhavit Ukaj